Gazetarja Rudina Xhunga në një postim në Instagram ka treguar një ngjarje të djeshme ku mund të kishte humbur jetën në bulevardin në qendër të Tiranës. Ajo rrëfen se u pengua dhe u rrëzua para një makine që as nuk ndaloi ta ndihmonte, por shton se ajo që ka më shumë rëndësi është se shumë njerëz të tjerë të mirë e ndihmuan. “Dje në Bulevard u pengova. Po vrapoja për të kapur sekondat e fundit të semaforit jeshil dhe nuk pashë hekurin e verdhe që ndante korsinë e biçikletave. Pengesa më bllokoi këmbët dhe rashë, para një makine. Nuk kuptova çfarë ndodhi, po kalimtarët përreth bërtitën, ndaluan makinat e tjera dhe një vajzë më ndihmoi të çohem. Pastaj një zotëri m’u prezantua si mjek, më uli, në bordurën e Rognerit dhe më kontrolloi për shembje, thyerje nga rënia.
Dhe në fund më dha targën e makinës, para së cilës rashë. Gjeje, -tha kujt i përket. -Sepse nuk frenoi, nuk ndaloi, nuk ndihmoi. E pashë kur u pengove dhe e gjitha qe me sekonda. Ai mund të të kishte vrarë sot. Ishte Benz luksoz. Targa AA200XJ.
I thashë faleminderit! Por më mirë se të gjej pronarin e atij benzi, kësaj dite do i mbaj mend fytyrën gjithë merak të vajzës që më dha dorën të çohem, kalimtarët që u mblodhën pa më njohur dhe bertitën të ndalonin makinat, mjekun që mbajti kembët, shënoi targën dhe më dha ndihmën e parë. Tirana është plot njerëz të mirë dhe jeta është shumë e çmuar të të ikë, sa hap e mbyll sytë. Nuk duhet lënë në mëshirë të benzave. Si ky që për pak më mori jetën, për pak, fare pak, distancë fati, dje. Faleminderit”, shkruan Rudina Xhunga.