Këngëtarja Eneda Tarifa duket se ka rigjetur sërish dashurinë katër vite pas ndarjes nga ish-bashkëshorti i saj, Erjon Zaloshnja, me të cilin ka edhe një vajzë. Artistja është filmuar në krahët e basketbollistit Gent Lasku në një lokal duke u përqafuar. Në një moment sportisti e puth edhe në ballë këngëtaren.

Dyshja duken shumë të lumtur krah njëri-tjetrin dhe kanë dalë hapur publikisht për herë të parë. Genti Lasku është një basketbollist profesionist i cili luan për klubin e Tiranës në Superligën Shqiptare të Basketbollit si dhe Kombëtaren e Shqipërisë. Gjithashtu në vitin 2021, ai është përfshirë në politikë. Ai kandidoi si deputet nën logon e Bindjes Demokratike të Astrit Patozit në zgjedhjet parlamentare, por nuk arriti të fitojë mandat.

“Genti Lasku, një kampion race në ekipin e Tiranës. Ai ka një vizion të qartë politik dhe eksperiencën e duhur në administratën publike dhe në sipërmarrjen privat për të nisur një rrugëtim të ri. Sekretar i Përgjithshëm i Federatës Shqiptare të Shpëtimit të Jetës në Ujë, Genti mendon se sot ka ardhur dita të angazhohet fort në funksion të projektit tonë, që synon mbi të gjitha ndryshimin e ambientit politik në Shqipëri. Të nderuar dhe krenarë që në këtë sfidë të bukur kemi në vijën e parë të sulmit një kampion si Genti”, kështu e prezantoi Patozi në atë periudhë.

Fundi i martesës së Eneda Tarifës

Këngëtarja dhe muzikanti Erjon Zaloshnja, prindër të një vajze, kishin 18 vite së bashku, kur vendosën t’i jepnin fund marrëdhënies së tyre në vitin 2018. Erjon Zaloshnja, në fillimet e njohjes kur e pyesnin për Enedën, shprehej: “Ajo është muza ime”.

Ishte janari i vitit 2017, kur këngëtarja u nda nga banda e bashkëshortit të saj në club-in “Rock Stock” për të kënduar në një tjetër club. Që nga ajo periudhë, Eneda Tarifa nuk u pa më nën shoqërinë e ish- partnerit të saj.

Ajo ishte vetëm 17 vjeçe kur nisi historinë e dashurisë me kompozitorin e këngëve të saj të para, që ishte disa vite më i madh se ajo.

Për këngëtaren e rrymave, pop, r&b e rock dhe njëkohësisht prezantuesen televizive, karriera do të ecte paralelisht me historinë e saj të dashurisë, që nga vitet 2000.
Në intervistat e dhëna pas ndarjes, Eneda Tarifa ka treguar se me ish-bashkëshortin ruante marrëdhënie të mira shoqërore dhe të dy kujdesen në mënyrë të barabartë për vajzën e tyre.
“Marrëdhënia jonë është tepër e mirë shoqërore. Kujdesemi për vajzën në mënyrë të barabartë dhe sigurisht në eventet e saj më të rëndësishme ne jemi atje që të dy”, u shpreh ajo në një intervistë në Thumb On.