Gazetari i ABC News, Ermal Vija thotë se hetimet për Ervis Martinajn janë shumë të vështira pasi ky i fundit është një person me precedentë të theksuar kriminalë. Për Euronews Albania gazetari u shpreh se çështja e Ervis Martinajt po hetohet paralelisht nga dy prokurori, ajo e Kurbinit që ka nisur hetimet për rrëmbimin dhe zhdukjen e Martinajt pas denoncimit të familjarëve të tij 2 muaj më parë. Nga ana tjetër është Prokuroria e Posaçme që po heton për Ervis Martinajn, si një person i shumëkërkuar nga policia pasi u shpall në kërkim në maj të këtij viti pas operacionit të koduar Plumbi i Artë.
“Ka pasur një operacion në disa banesa ku dyshohet se persona të caktuar mund të kenë organizuar rrëmbimin e Martinajt, veç Shijakut dhe Durrësit operacione janë kryer në një hotel në Vlorë. Prokuroria e Kurbinit udhëheq hetimet për pistën e rrëmbimit, kur kanë kaluar 2 muaj nga denoncimi i familjarëve. Është një hetim që do kohën e vet, kur kemi të bëjmë me një person me shumë rekorde të theksuara kriminale. Janë dy prokurori që garojnë për hetimet, ajo e Kurbinit dhe SPAK që e kërkon si i shumëkërkuar. Nëse Prokuroria e Kurbinit do të gjente një provë që është rrëmbyer nga një grup kriminal, do të duhet t’ia kalonte kompetencat SPAK”, tha gazetari.