Në Kepin Lindor të Afrikës së Jugut, mijëra hektarë tokë mund të bëhen së shpejti fabrika më e madhe e amoniakut të gjelbër në botë. Amoniaku, i cili përbëhet nga azoti dhe hidrogjeni, zakonisht përdoret si pleh. Në fillim të viteve 1910, shkencëtarët gjetën një mënyrë për ta sintetizuar atë dhe për ta përdorur si pleh bujqësor. Prodhimi i amoniakut bëri që bujqësia të lulëzonte, aq sa sipas studimeve, pa të nuk do të mund të prodhohej afërsisht gjysma e ushqimit në botë. Amoniaku përdoret gjithashtu për prodhimin e eksplozivëve në industrinë e minierave, si dhe është një përbërës kyç në shumë produkte farmaceutike dhe pastrimi. Po Ndër të tjera është i njohur edhe përdorimi i tij si lëndë djegëse, çka mund të ndihmojë në dekarbonizimin e sektorit të transportit.
Pikërisht këtë synon të arrijë kjo fabrikë që do të ndërtohet në Afrikën e Jugut. “Do të fillojë të zëvendësojë vajrat e rënda të karburantit në anije, si dhe do të zëvendësojë naftën. Do të bëhet karburanti i së ardhmes, veçanërisht në industrinë detare”, thotë Colin Loubser, drejtor i kompanisë “Hive Energy Africa”. E parashikuar të fillojë punën në vitin 2026, uzina do të kushtojë 4.6 miliardë dollarë dhe do të hapë rreth 20 000 vende pune.