Juventusi, nën akuzë. Hetimi “Prisma” nga Prokuroria e Torinos, e cila heton ndryshimin e bilanceve të klubit bardhezi në periudhën trevjeçare 2018-2020, mund të ketë pasoja të rënda si në rrafshin sportiv ku ekziston rreziku i dënimit ashtu edhe në atë ekonomik, ku ‘karta e Ronaldos’ tashmë e famshme do të luante një rol vendimtar.
Sipas prokurorëve dhe siç do të kishte dalë nga disa përgjime, me atë marrëveshje private, “Zonja e vjetër” do të kishte marrë përsipër t’i paguante portugezit 19.9 milionë euro edhe në rast të ndërprerjes së marrëdhënies profesionale dhe shuma në fjalë nuk do të ishte regjistruar rregullisht në bilance.
“KARTA RONALDO” – Siç raporton “La Repubblica”, ekzistenca reale e kësaj marrëveshjeje private mes klubit të Juventusit dhe kampionit portugez, e padeklaruar në zyrat e Ligës, do të dënohej me një gjobë që rrezikon të jetë tri herë më e lartë se vlera e vetë dokumentit, sepse nëse një klub “bie dakord me të federuarit e tij ose u paguan atyre dëmshpërblim, në kundërshtim me dispozitat federale, dënohet me gjobë nga 1 deri në 3-fishin e shumës së rënë dakord ose të paguar në mënyrë të paligjshme, përveç një ose më shumë neneve të tjera ndëshkuese”. Në bilanc, pra, nëse do të ekzistonte vërtet ‘karta e Ronaldos’ prej 19.975 milionë eurosh, Juventusi do të rrezikonte një gjobë shumë të lartë, prej 60 milionë eurosh, që do të ishte një peshë shumë e rëndë për arkën e klubit, sidomos pas humbjeve në bilanc të regjistruara në shtator dhe eliminimin nga Champions-i.
ANJELI – Zhvillimet e çështjes në lidhje me pasqyrat financiare dhe fitimet kapitale bënë që presidenti i Juventusit, Andrea Anjeli, të mblidhte të gjithë punonjësit e kompanisë, përfshirë edhe ata të fushës, për t’u qartësuar pozicionin e klubit dhe për t’u dhënë të gjithëve garanci mbi vijimin e punës në klub dhe për klubin.