Rudi Vata nuk e shikon Kombëtaren aktuale që të funksionojë si një skuadër dhe për këtë jep disa argumente. Në një intervistë ekskluzive për “Panorama Sport”, ish-kapiteni i Shqipërisë e cilëson trajnerin italian, Edi Reja, si një viktimë të radhës së sistemit të instaluar nga presidenti i FSHF-së, Armand Duka, prej dy dekadash. Vata thekson se te kuqezinjtë mungon kimia në grupin e lojtarëve, pasi është bërë një menaxhim i keq nga institucioni i futbollit dhe stafi teknik. Nga ana tjetër, ai është i bindur se Shqipëria duhet të ndihet me fat që ka në skuadër Armando Brojën, Kristjan Asllanin, Marash Kumbullën apo Ivan Balliun. Ish-mbrojtësi shkodran ndalet edhe te revolta e tifozëve, por gjithashtu te problematika e kampionatit shqiptar.
Rudi, çfarë përshtypje ju lanë ndeshjet e fundit të Kombëtares?
Të jem i sinqertë, personalisht nuk kam pasur pritshmëri më tepër se kaq në këto dy ndeshje të Ligës së Kombeve.
Pse nuk keni pasur pritshmëri?
Shikoni, ne kemi një skuadër me djem të talentuar dhe me potencial të mjaftueshëm për t’u bërë një Kombëtare e rëndësishme në vazhdimësi. Sigurisht, nuk jemi ne që mund të fitojmë kampionate botërore apo europiane, por kemi lojtarë, që nëse dimë të organizohemi, duke pasur një klimë të mirë në skuadër, bëhemi të rëndësishëm mes atyre ekipeve që cilësohen kombëtare të vogla. E vërteta është që në këtë moment unë nuk shikoj një Shqipëri që funksionon si skuadër dhe të jetë grup.
E kujt është përgjegjësia në këtë rast?
Nëse flasim për lojtarët, kohët e fundit kam parë shumë të diskutohet çështja e mentalitetit dhe ndjenja e fanellës, pra nëse e kanë apo jo për Kombëtaren shqiptare. Unë e shikoj si ish-futbollist i Shqipërisë dhe me bindje e them se jemi me fat që kemi këta djem në përbërje të ekipit si Asllani, Broja, Kumbulla etj., që luajnë në klube kaq të rëndësishme dhe na përfaqësojnë ne si shqiptarë. Së pari, duhet të kuptojmë që për të qenë futbollist i këtyre niveleve është një punë dhe sakrificë e jashtëzakonshme. Nga mënyra si e shikoj unë futbollin, mendoj që këta lojtarë janë vlerat absolute më të mira që ka Kombëtarja shqiptare.
Në një moment duhet të bëjmë pyetjen: po sikur të mos i kishim ne këta futbollistë?! Po nëse këta lojtarë i zëvendësojmë me ata që luajnë në kampionatin shqiptar, çfarë Kombëtareje do të kishim ne?! Këta emra me të vërtetë që ndoshta nuk e ndiejnë fanellën siç e kam ndierë unë, Tare, Rraklli, Kushta, Lala, Kola etj, sepse janë të lindur dhe të rritur në Angli dhe Itali. Në të njëjtën kohë, ata janë shumë më profesionistë dhe më të shkolluar nga ana profesionale se shumë shqiptarë të tjerë.
Atëherë çfarë mungon në skuadër që rezultatet nuk janë ato që priten?
Broja dhe të tjerët nuk kanë një kontratë me ekipin Kombëtar, por një marrëveshje për të përfaqësuar vendin e tyre, sepse e ndiejnë ta bëjnë këtë. Dhe kur vijnë këtu për të përfaqësuar vendin e tyre, e përfaqësojnë si profesionistë, ashtu si janë rritur në vendet ne nivel shumë të lartë profesional.
Në këtë aspekt, unë jam i sigurt që çdo profesionist i mirë është i ndërtuar për të dhënë maksimumin e vet. Ajo që unë kuptoj në këtë situatë ku ndodhet Kombëtarja është se këtu nuk ka kimi të FSHF-së dhe stafit teknik me futbollistët. Mungoi kimia dhe kjo është diçka që nuk shkon.
Pra, mund të them që kimia nuk ekziston tek ekipi kombëtar. Aty ka një defekt shumë të madh të anës profesionale të lojtarëve. Është një hapësirë shumë e madhe që nuk mundet kurrë të jetë në një linjë. Ka nevojë për trajtim profesional, por nëse ndërtesa e FSHF-së është e mbushur me njerëz që janë produkt i nepotizmit dhe qokave, sigurisht që do të krijohen hendeqe të mëdha.
Gjithçka ia faturoni menaxhimit që i është bërë këtij grupi lojtarësh?
Skuadra duhet të menaxhohet mirë, sepse këta djem janë me personalitet dhe karakter tjetër në krahasim me ata që janë rritur në futbollin shqiptar. Broja, Asllani etj janë rritur në klube me shanse të barabarta dhe janë bërë të rëndësishëm në vende të rëndësishme. Ne si komb duhet të jemi krenar, sepse ata e kanë arritur çdo gjë me mund, djersë dhe shumë sakrifica në klube të mëdha evropiane.
Nuk mund të jesh krenar për Armand Dukën, që është bërë president i FSHF-së me qoka dhe marifete të nepotizmit shqiptar. Unë kam respekt për sakrificën dhe suksesin që kanë arritur këta djem me ndihmën e familjeve të tyre. Kjo është krenaria që duhet të kemi ne, pastaj mënyra se si ata menaxhohen dhe organizohen në Kombëtare, kjo nuk është detyra e këtyre djemve. Megjithatë, duke ditur eksperiencat që ka kaluar ekipi kombëtar, këto djem profesionistë janë menaxhuar keq.
Ku e bazoni këtë?
Këtë e bazoj te faktet që na kanë paraqitur në gjithë këtë periudhë që ekipi drejtohet nga Reja. Si mund të quash menaxhim të mirë për shembull atë që kanë bërë me Ivan Balliun, i cili sot për sot është një nga lojtarët më të mirë në krahun e djathtë të mbrojtjes dhe luan rregullisht në Spanjë. Balliu është produkt i akademisë së Barcelonës dhe pavarësisht se prej kohësh po bën mirë në Spanjë, ka vetëm 7-8 ndeshje me fanellën e Shqipërisë. Ky është një menaxhim shumë i keq.
Gjithsesi, kjo ka qenë një zgjedhje e trajnerit apo mendoni ndryshe?
Kur futem në internet, shikoj shpesh që presidenti i FSHFsë, i cili ka një kulturë shifrash apo shkollë numrash dhe llogarish, shpesh e shikoj që bën edhe analistin e ekipit kombëtar. Shpesh ai bën edhe opinionistin e skuadrës. Pra, ai është bosi, sepse shqiptarët janë mësuar që vendimet merren vetëm nga Duka.
Mirëpo, futbolli shqiptar nuk ka nevojë për bos, por për një lider. Bosi e trajton punëtorin si skllav, ndërsa lideri e bën të ndihet si drejtor. Bosi thotë që “unë kam idenë time dhe nuk pyes të tjerët”. Nga ana tjetër, një lider kërkon ide nga të gjithë aktorët. Bosi del dhe thotë që “e bëra unë stadiumin”, por normalisht atë e kanë bërë punëtoret dhe e kanë marrë vendimin shumë njerëz. Me këtë dua të them, që futbollit shqiptar i duhen liderë, pasi edhe vetë kombi jonë nuk ka pasur kurrë liderë, por vetëm bosa. Në Shqipëri duan që të gjithë të kenë makinën më të mirë apo të kenë orën më të shtrenjtë.
Të flasim më konkretisht për trajnerin Edi Reja, si e keni parë punën e tij në krye të kuqezinjve në këto tri vite?
Reja është viktima e radhës e sistemit të Dukës si trajner. Ai gaboi sepse nuk e kuptoi si funksionoi ky sistem ose ndoshta i pëlqeu ky realitet shqiptar. Këtu faji komplet është i sistemit të ngritur, sepse ai të bën të suksesshëm ose të shkatërron ëndrrën. Mendoj që sistemi i Dukës ka shkatërruar të ardhmen e shumë futbollistëve që kanë lindur për t’u bërë të tillë.
Kjo është thjesht bindja juaj apo keni fakte?
Po, pikërisht. Kjo është e bazuar çdo gjë me fakte. Sa herë që vij në Shqipëri kam kontakte të vazhdueshme me djem të rinj të talentuar dhe prindër të shumë futbollistëve. I gjithë halli dhe shpresa e tyre është që fëmija të largohet sa më i vogël jashtë vendit. Ata duan të ikin, sepse është instaluar një sistem, ku çdo prind mendon se fëmija nuk mund të luajë nëse ai nuk ka forcë financiare të paguaj, pasi çdo gjë është bërë me pagesë.
Ky produkt që kemi është i tillë që nuk kërkohet nga asnjë kampionat elitar. Nëse Superiorja është kaq e mirë, si ka mundësi që çdo futbollist i huaj që ka dështuar në ligat e rëndësishme, strehën e gjen në Shqipëri. Pra, bëhet i rëndësishëm në një kampionat, i cili thjesht ekziston, por nuk prodhon më asgjë.
Në fakt, në dy ndeshjet e fundit Reja nuk grumbulloi asnjë lojtar të Superiores…
Ekipi kombëtar ka vetëm një fat të madh dhe ai është që shqiptarët kanë emigruar që para 30 viteve, duke sakrifikuar si familje dhe lindur fëmijë në vende të ndryshme të Europës. Sot kemi ata futbollistë që na bëjnë të ndihemi krenar. Produkti i kampionatit shqiptar dhe sistemi i ndërtuar në FSHF në këto 20 vitet e fundit, ka hapur një gropë të madhe skandalesh. Vuajtja dhe mjerimi është i pafund.
Personalisht e kam provuar sistemin Duka edhe si lojtar, edhe si trajner. Në vitin 2002, e mbaj mend shumë mirë sistemin që nisi të ndërtohej gabim që në fillim, duke u krijuar artificialisht për të dështuar dhe jo për të qenë i suksesshëm. Vetë njerëzit që marrin përsipër të drejtojnë sektorë që janë të vështirë për sa i përket menaxhimit të situatave teknike, nuk munden të jenë të suksesshëm, edhe pse mund të mendojnë që janë biznesmen i fuqishëm dhe kanë para.
Nuk është paraja ajo që të bën të ditur të kuptosh se si janë fazat e ndryshimit, zhvillimit dhe progresit. Gjithsesi, tani e mbrapa unë nuk do të flas më për performancën e lojtarëve të Kombëtares, pasi ata janë profesionistë mjaftueshëm dhe me tepër vlera.
Si e shikoni të ardhmen dhe kush mendoni se mund të jetë pasardhësi i Rejës në krye të pankinës?
Nuk është problemi te trajneri, por te sistemi. Duhet ndryshuar komplet sistemi, sepse këta njerëz e kanë shkatërruar futbollin shqiptar. Kur jam larguar nga Shqipëria, kam kuptuar se ky sistem nuk më rrit më si futbollist, në ato nivele ku unë mund të mbërrija. E njëjta që ndodh edhe sot me futbollistët shqiptarë. A janë këta gati për të lëvizur? Jo, nuk janë, sepse sistemi nuk i përgatit për të mbërritur në ekipe elitare në Europë.
Përderisa produkti vendës do të jetë i keq, sigurisht që rezultatet të tilla do të vazhdojnë. Pasi të shkatërrohet ky sistem, duhet ndërtuar një i ri me njerëz kompetentë dhe me vlera, jo me ata që vijnë nga qokat apo ndërhyrjet politike. Kaq, është e thjeshtë. Nuk është shkencë.
Ky është sport i vështirë dhe të ndërtosh një të ardhme në Britaninë e Madhe si Broja me Çelsin, duhet të jesh “Superman”. I tillë është futbolli në Angli. Por nuk mund të dënosh t’i një Broja që humbi dy raste, të cilat i krijoji vetë. Nuk është kjo vlerë, sepse po të humbësh edhe Brojën, me cilin do të luash? Jam i sigurt që ata që i shërbejnë sistemit do të shajnë mua, por më intereson vetëm futbolli dhe lojtarët e Kombëtares që kanë respektin maksimal për mua, pasi janë vlera e kombit.
Revolta e tifozëve kuqezi pas ndeshjes me Islandën si ju duk?
Nëse tifozët kanë pakënaqësi, të shkojnë dhe të shkatërrojnë sistemin. Ne si shtet jemi të falimentuar. Pa këta lojtarë ne nuk kemi Kombëtare. Jemi shumë me fat që kemi një brez të ri, që nuk e kanë eksperiencën e duhur për të qenë futbollistë shumë të rëndësishëm, por ama nëse dimë t’i menaxhojmë mirë dhe respektojmë vlerat e tyre, mund të marrim rezultate të mëdha në të ardhmen. Këto djem sigurisht që mund të gabojnë dhe të kenë ditë të këqija, por nuk humben vlerat e tyre me një ndeshje dhe të harrohen nga tifozët. Jam gjithë kohën në mbështetje të këtyre futbollistëve dhe kundër këtij sistemi.
Kush e lexon këtë intervistë ndoshta mendon se ju e keni personale me Dukën, edhe pse në fakt keni qenë ndër vite një nga kritikët më të mëdhenj të tij dhe menaxhimit që i ka bërë FSHF-së…
Dëmin që Duka më ka bërë si futbollist ja kam falur, sepse e kam trajtuar si amator në kohën kur unë luaja me Kombëtaren. Ai e di shumë mirë si e kam menaxhuar unë situatën me Brigelin dhe ku ka gabuar Duka. Ndërsa, si trajner për një periudhë të shkurtër në Shqipëri, nuk ja kam falur dëmin që Duka më ka bërë, sepse ka qenë më i pjekur dhe me eksperiencë. Kam kuptuar që ka ndërtuar një futboll që shitet dhe blihet sipas qejfit. Ka instaluar një sistem me veset më të këqija.