Kjo fundjavë futbollistike në Europë sjell mbi të gjitha dy përplasje të mëdha në Spanjë e Angli. Të dielën duke filluar nga ora 16:15 në “Santiago Bernabeu” luhet El Clasico i parë i sezonit Real Madrid-Barcelona. Të dyja skuadrat udhëheqin klasifikimin në La Liga pas nisjes perfekte që i kanë bërë sezonit. Si Barcelona ashtu edhe Real Madrid kanë nga 22 pikë secila me nga 7 fitore e një barazim në 8 ndeshjet e para. Los Blancos vijnë në këtë supersfidë të freskët nga kualifikimi në Champions dhe me një Benzema që kërcënon katalanasit pasi në të kaluarën i ka shënuar 11 herë Barcelonës.
Duelin në distancë do e këtë me polakun Lewandowski i cili është golashënuesi më i mirë në La Liga e Champions dhe Realit i ka shënuar 6 herë në përballjet e kaluara. Magjinë e kësaj ndeshje e kupton kur mëson se vlera e 22 futbollistëve që do zbresin në fushë shkon afërsisht 1 miliardë euro. Real-Barça premton një super spektakël.
Pak më shumë se një orë më vonë po të dielën në mitikun “Anfield” Liverpool pret Manchester Cityn për javën e 10-të të Premier League. Rivalët për titull në sezonet e fundit por në këtë sfidë City vjen me 13 pikë më shumë se Liverpool.
Megjithatë trajneri Pep Guardiola thotë se djemtë e Klopp janë rivali kryesor në garën për titull i skuadrës së tij. Tekniku i Liverpool Jurgen Klopp i ka thurur elozhe sulmuesit të Cityt norvegjezit Haaland duke e vlerësuar si më të mirin në botë e të njëjtin mendim ka edhe për Cityn si skuadër. Liverpool i ka bërë një nisje jo të mirë sezonit me vetëm 10 pikë në 9 ndeshje e vendin e tetë në renditje ndërsa City e Haaland kanë shpërthyer në gola e janë forcë e dytë vetëm pas Arsenalit.