Reali i Madridit është ndalur të dielën pas dite nga Girona në një barazim 1-1, që në fund më shumë i ka vlejtur Barcelonës, që e ka ngushtuar në 1 pikë diferencën me “Los Blancos”. Katalanasit e vegjël u kanë bërë një nder të mëdhenjve të Barcelonës, por përballja në “Bernabeu” nuk ka kaluar pa polemika. Girona ka marrë një pikë plot meritë, pasi e ka kërkuar atë deri në minutën e fundit, duke luajtur mirë, me zgjuarsi përballë një Reali që është shfaqur apatik në fushë, pa ide dhe pa dëshirë.
Por mënyra se si erdhi goli i barazimit nga katalanasit ka tërbuar madrilenët. Një penallti e shumëdiskutuar 10 minuta para fundit i ka dhënë mundësi Stuanit të barazojë golin e Viniciusit për Realin dhjetë minuta para tij. Edhe trajneri Karlo Ançeloti këtë herë ka humbur qetësinë që e karakterizon, duke deklaruar se gjyqtari Melero dhe VAR-i kanë shpikur një penalti për t’i dhuruar pikën Gironës.
Në Madrid bien dakord se takimi u mbyll me meritë siç duhej mbyllur, në barazim, por jo që barazimin ta firmosnin gjyqtari në fushë dhe regjia në VAR.
Reali i Madridit e ka interpretuar keq ndeshjen. Ançeloti e mendoi ndeshjen të fituar, por me ndryshimet që bëri në vendosjen në fushë nuk i dha aspak qartësi lojës së Realit.
Me lëvizjet e bëra Ançeloti i krijoi komoditet në fushë Gironës, pavarësisht se fillimi ishte i gjithi nën markën e bardhë. Madridi u ndal te shtylla pas 23 minutash lojë me Rodrigon protagonist.
Por nuk vonoi as përgjigjja e Gironës që goditi traversën një çerek ore më pas me Angel Herrerën. Edhe në pjesën e dytë Reali nuk është se tregoi më shumë. Megjithatë, gjithçka u duk se u zgjidh kur Vinicius 20 minuta nga fundi kaloi përpara Madridin.
Dukej se pjesa më e vështirë u krye.
Por jo, sepse 10 minuta më vonë nga zhvillimet e një goditjeje këndi, topi diku preku duart e Asensios. Gjyqtari Melero nuk e pa, por VAR-i po. Stuani gjakftohtë barazoi shifrat nga pika e bardhë.
Goli i barazimit i miqve e ktheu ndeshjen në një çmenduri. Reali arriti të gjente golin e epërsisë me Rodrigon, por më parë kishte shkaktuar një faull ndaj portierit.
Për t’i vënë kapakun, kartoni i kuq i Toni Krosit! Me 10 lojtarë në fushë Reali provoi deri në fund, por pa sukses.
ANÇELOTI – “Nuk më pëlqen të flas për gjyqtarët, por diçka do ta them. Rasti i penalltisë ishte flagrant, nuk mund të jepej ajo penallti sepse nuk kishte prekje të topit me dorë.
Dora e majtë e Asensios ishte në një pozicion jonatyral, por ai nuk e preku fare topin. Mendoj se e shpikën atë penallti. Sa për golin e anuluar të Rodrigos, rregulli është i qartë.
Ajo që nuk arrij ta kapërdij është penalltia, sepse erdhi në një moment kyç të takimit dhe na kushtoi fitoren. Falë asaj penalltie të paqenë kemi dy pikë më pak në renditje”, tha i revoltuar pas ndeshjes, Karlo Ançeloti.