Mesfushori i Kombëtares shqiptare, Nedim Bajrami në një intevistë të dhënë së fundmi për “DAZN”, ka prekur disa tema. Fillimisht, Bajrami foli për Asllanin, për të cilin tha se është një djalë modest dhe shpreson të ketë sukses të Interi. Ai u shpreh se dëshiron që këtë sezon të arrijë shifrën e 10 golave, ndërsa shtoi se i pëlqen më shumë të asistojë se të shënojë. I pyetur për idhullin e tij, Bajrami tha se është Zinedin Zidane, ku ndër të tjera tha se ka të njëjtën elegancë si francezi.

“Asllani, këtu luajti dhe bëri shumë mirë, është një djalë modest, e shoh në Kombëtare dhe jam shumë i lumtur që e hodhi këtë hap. Interi është i madh, kërkon kohë për konkurrencë. Shpresojmë që të ketë një sezon të bukur. Flas me të pothuajse çdo ditë, ne flasim në përgjithësi për futbollin.

Më pëlqen më shumë të asistoj, por është gjithashtu bukur të shënosh gola. Të shënosh ndaj Milanit është shumë bukur. Më pëlqen të luaj kundër tyre, ata janë një ekip i madh në Itali dhe një gol kundër tyre është i përjetshëm. Dua të përpiqem të arrij 10 gola këtë vit. Po, është një motivim personal, gjithmonë dua të përmirësoj të gjithë numrat e mi. Idhulli? Zidane, shumë i fortë, një fenomen. Vetëm elegancën kam të barabartë me Zidanin kur unë kam topin. Deri tani nuk kam kërkuar fanella. Nëse mund të zgjidhja, them Dibalën. Më pëlqen shumë, në rol është shumë, shumë i forte”, u shpreh Bajrami.