Manchester City pagoi 45 milionë euro te Porto tetë vite më parë për kartonin e Eliaquim Mangala. Qendërmbrojtësi francez luajti rregullisht te Cityzens në dy sezonet e para, por më pas në stol u ul Pep Guardiola dhe aventura e tij në ishull shkoi drejt fundit.
Për lojtarin potent nisi kalvari i huazimeve, ndërkohë që prej verës së kaluar qëndron pa ekip pas mbylljes së bashkëpunimit me Saint-Etienne. 31-vjeçari ka folur rreth raportit me Guardiolën, të cilin e vlerëson gjithsesi për sinqeritetin e treguar.
“Pep më tha: ‘Ti je një lojtar shumë i mirë, por për stilin tim të lojës, ti nuk je mbrojtësi që unë kërkoj’. Ai foli shumë sinqerisht me mua, nuk mund të jem i zhgënjyer prej tij. Pasi luajta me të m’u shtua dëshira për t’u bërë trajner në të ardhmen.
Dua të gjej një klub, duhet ta gjej sa më shpejt. Futbolli është pasioni im i madh dhe ndihem shumë i motivuar për të dhënë më të mirën time në fushë. Më ka marrë malli të zbres në fushë”, deklaroi qendërmbrojtësi, i cili ka veshur 13 herë fanellën e kombëtares franceze.