Barcelona ka një zakon për të emëruar ish-lojtarët si trajnerë, ndoshta për shkak se shpeshherë emërimet kanë rezultuar të suksesshme. Një rast i tillë është së fundmi me Xavi Hernandez, i cili u rikthye për të marrë drejtimin e skuadrës, teksa momentalisht është në krye të tabelës në La Liga. Ish-partneri i Xavit në mesfushë, Andres Iniesta, tani ka hapur derën për një rrugë të ngjashme.
Ish-reprezentuesi i Spanjës tani është 38 vjeç, por ende po luan për Vissel Kobe në Japoni, të cilëve iu bashkua pas largimit nga Barcelona në vitin 2018. Duke folur për “La Gazzetta dello Sport” në një intervistë të fundit, Iniesta pranoi se do të donte të kthehej në “Camp Nou”. “Do të vazhdoj edhe një vit këtu (në Japoni) dhe më pas do të shohim. Do të doja të kthehesha te Barça, është shtëpia ime, por ende nuk e di se në çfarë cilësie; trajner, drejtor sportiv apo diçka e tillë. Në çdo rast, gjëja e parë që duhet të bëj është të stërvitem dhe për momentin e shoh veten ende si lojtar”, tha ish-mesfushori i Barcelonës.
Spanjolli tha se do të ndërmerrte hapa për të përgatitur veten për cilindo rol që ai do të ndjek. “Është bukur të mendosh se dikush që ka qenë dhe i ka dhënë kaq shumë një klubi mund të vazhdojë ta bëjë këtë, edhe nëse ndalon së luajturi, por duhet të ekzistojnë kushtet e duhura për të. Nuk mund të thuash: ‘Nuk do të bëj asgjë, por më lër të kthehem’”, shtoi 38-vjeçari. Derisa bëhet fjalë për pozitat e ofruara nga Barcelona për ish-futbollistët, e vërteta është se periudhat e tyre më të mira të suksesit kanë ardhur nën drejtimin e Johan Cruyff dhe Pep Guardiolas.