Për derbin e kryeqytetit që luhet këtë të dielë në “Air Albania” ka një interesim të jashtëzakonshëm të tifozëve. Drejtues të klubit të kuq, organizator te këtij takimi ata konfirmojnë se deri të shtunën në mesditë janë shitur më shumë se 7 mijë bileta.
Një interesim shumë i madh i tifozëve të të dyja skuadrave për këtë ndeshje vitrinë të kampionatit tonë që prodhon shumë emocione e rivalitet. Sfida është e vlefshme për javën e 6-të të Kategorisë Superiore dhe luhet të dielën duke filluar nga ora 19:00. Klubi i kuq ndërkaq vijon me shitjen e biletave të cilat gjenden në biletaritë pranë stadiumeve “Air Albania” dhe “Selman Stërmasi” nga ora 10:00 deri në 19:00.
Megjithëse stadiumi ka një kapacitet prej 22 mijë tifozësh fakti që deri të shtunën në mesditë janë shitur 7 mijë bileta dhe interesimi i tifozëve mbetet i lartë bën të mendosh se spektaklin në tribuna nesër do ta shijojë një numër shumë i madh futbolldashësish ndoshta më shumë se ata që panë Shqipërinë ndaj Islandës të martën në mbrëmje. Sa i përket çmimeve në tribunën përballë një biletë për të parë derbin kushton 1 mijë lekë të rinj, në tribunat pas porte 500 lekë dhe në tribunën kryesore çmimet variojnë 3 mijë, 4 mijë dhe 5 mijë lekë.