Nedim Bajrami dhe Ardian Ismajli do të jenë mungesat e rëndësishme të Empolit në sfidën e orës 20:45 kundër Milanit. Fantazisti ka lodhje të akumuluar nga dy ndeshjet me Kombëtaren e Shqipërisë, pavarësisht se vetëm në atë kundër Islandës luajti si titullar.

Sipas mediave pranë klubit empolez, ai sot mund ta nisë nga stoli, duke i lënë vendin në formacion Marko Pjacës. Ndërkohë, në ditën e 26-vjetorit Ardian Ismajli nuk mund të buzëqeshë.

Mbrojtësi shqiptar pësoi një dëmtim në kofshë në ndeshjen kundër Islandës dhe do të mungojë për rreth një muaj. Përvjetor i hidhur, të cilin shokët mund t’ia ëmbëlsojnë me rezultat pozitiv kundër Milanit ku në të njëjtën ditë Olivie Zhiru festoi 36-vjetorin.

SHPRESA E ZANETIT

Teksa numëron të dëmtuarit, Paolo Zaneti duhet të bëjë llogaritë edhe me kundërshtarin e sotëm. “Kur ke lojtarë që shkojnë në kombëtare duhet të marrësh parasysh edhe dëmtimet. Më vjen keq që humbëm Ismajlin në momentin e tij më të mirë. Me Milanin është ndeshje delikate dhe si fantazist mund të luajë Pjaca, teksa duhet të verifikoj edhe Bajramin”. Për trajnerin e Empolit kuqezinjtë kanë shumë cilësi e ai do të dëshironte që përballë të mos kishte të paktën Rafael Leaon.

“Leao është një kampion, por të mendosh për individualitetin është e gabuar dhe do të thotë t’u japësh shumë peshë atyre që duhet ta markojnë. Nuk dua që skuadra ime të deformohet vetëm për shkak të një lojtari. E mira do të ishte që Leaon ta zinte ndonjë grip e të mungonte kundër nesh”, deklaroi Zaneti.