Ka qenë një eksperiencë shumë e bukur, interesante, stimuluese dhe shpërblyese. Tani është mbyllur, sepse presidenti ka nevojë për një figurë që të jetë sa më afër dhe i përkushtuar plotësisht atje, ndërsa unë nuk mundem, për arsye edhe familjare, kam nevojën që të jem më shumë kohë në Itali”, kanë qenë fjalët e Xhankarlo Kamolezes në mediat italiane, pasi u largua nga posti i Drejtorit Teknik në Federatën Shqiptare të Futbollit disa muaj më parë.
Ndërkohë disa herë ai është përfolur si një zëvendësues i Edi Rejës në stolin kuqezi dhe tani vijmë në një moment kur po flitet për të ardhmen e trajnerit 77- vjeçar.
“Panorama Sport” mëson se emri i Xhankarlo Kamolezes është rikthyer fuqishëm në skenë, dhe nuk përjashtohet mundësia që ai të emërohet trajner i Shqipërisë.
Ish-drejtori teknik, i cili ka punuar edhe me ekipet e moshave e njeh mirë ambientin, për të shtuar edhe raportet e mira që ka me presidentin e FSHF-së Armand Duka.
Kamoleze ka trajnuar vetëm në Itali, me ekipet si: Torino, Pro Verçeli, Viçenca dhe Rexhina, ndërsa skuadra e fundit që ai ka drejtuar ka qenë Kiaso në Zvicër në sezonin 2015-2016, ndërkohë italiani 61-vjeçar nuk ka asnjë eksperiencë me ekipe kombëtare.
Si futbollist ai ka luajtur nga sezoni 1979 deri në 1995, ku ka veshur fanellën e Lacios, Torinos, Rexhinës dhe disa ekipeve të tjera në kategoritë e ulëta në Itali.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë në vazhdim në lidhje me stolin e Shqipërisë, pasi gjasat janë që Reja të mos rinovojë./Panorama