Nga Alba Malltezi
Në kohën e shtirjeve masive, nuk është e lehtë të dallosh një zë të vërtetë. Në kohën e botoksit, të qerpikëve false, të buzëve, fytyrave të ngrira e të tërhequra, të buzëqeshjeve të vizatuara, të dhjamit të vënë me dreka e darka mes dhjetëra pjatash, rezortesh të supershtrenjta, e të hequr pastaj me bisturi të mirëpaguara, është tepër vështirë të dallosh një histori të vërtetë. Edhe në gazetari, ku një manipuluese mund të të duket një “nënë terezë” dhe një mashtrues ordiner bamirësi më i madh, i parë ndonjëherë, është vështirë të kuptosh çfarë thotë një zë i vuajtur dhe i sinqertë, edhe kur ky zë dridhet nga një ishemi cerebrale.
Për intervistën e “Doktorit” të famshëm të Fiksit, ose të Gent Pjetrit, mësova nga rrjetet sociale, ose më mirë nga debatet rreth kësaj interviste dhënë për një emision në Syri TV. Dikush ishte mërzitur, pasi “Doktori” nuk duhej të shfaqej në atë gjendje, dikush jo. Fjalët e e tij kishin zënë vend.
Duke e ndjekur në Youtube, pas çdo fjalie të shprehur me vështirësi nga ky personazh popullor i televizionit tonë të tranzicionit, vërtetësia, sinqeriteti, thjeshtësia, sikur merrnin përmasa gjithnjë e më të mëdha me minutat që kalonin.
Alkooli dhe një ishemi, siç Genti tregon, kanë lënë gjurmë në të, por asgjë, asgjë nuk ka ndryshuar njerëzoren tek ai. Sidomos reflektimet mbi veten dhe të tjerët: “U bëra armiku i vetes”, duke e ndarë haptazi se nuk ndjehet viktimë dhe di të qartësojë si askush më parë rëndësinë e dallimin e të qenit “VIP” apo “publik” në Shqipëri. Pastaj foli për dashurinë, si për të na kujtuar këtë vlerë të jashtëzakonshme njerëzore.
Ndonjë është sikletosur nga vështirësia e të shprehurit të Gentit, por nuk ka vështirësi të shprehuri kur të vërteta dalin në dritë. Si për shëmbull ajo e shtirjeve, e mungesës së empatisë, e pamundësisë së suksesit për shumë të rinj të talentuar.
Ekrani i vogël mund të ketë shumë problematika, por nga ai sy magjik, në zemrat e të gjithëve perceptohet kollaj dhe shumë mirë se kush reciton me buzët e lyera, trukun perfekt, buzëqeshjen e blerë, kostumin nga stilisti më i mirë dhe kush thotë të vërtetën e hidhur, me zërin që dridhet qoftë nga alkooli, qoftë nga një ishemi.
Nuk e di nëse “Doktori”- Gent Pjetri, do ta gjejë forcën dhe vendin për t’u rikthyer në tregun mediatik, por kjo intervistë, kishte forcën e madhe të njeriuit të brishtë.