Nga Kujtim Xhaja/
Sot do të shkruaj për një përjetim tejet personal por jo vetëm, do të shkruaj për një koncept sic është martesa, për këtë kontratë sociale, marrëdhënie apo relacioni mes dy personave.
Dje, u takova me një mikeshën time, me të cilën ndajmë shumë të përbashkëta, mes të tjerash ndajmë edhe faktin e të qënit single të dy. E njohim njëri tjetrin që nga koha e universitetit, por asnjëri nuk e ka marrë ende hapin e madh drejt kurorëzimit të një marrëdhënieje deri në martesë.Jemi të dy rreth të 30-ave me angazhime të ndryshme profesionale. Ne bisedë e sipër dicka më tërhoqi vëmendjen, mikesha po më tregonte se kish shkuar në fundjave tek shtëpia e gjyshit ne Tropoje dhe ai, nje burrë I fortë, babaxhan, tradicional e kish pritur tek dera me fjalë të para: “Po c’bën akoma?Gjithë kjo vajzë, e kupton se cdo ditë e shkuar është një ditë e humbur për ty, pa pasur një partner me vete. Dhe partneri, I daekshuri supozohet të jetë I finalizuar si një dhëndër në martesë. Kaq mjaftoi dhe unë e humba fillin e bisedës. Mu kujtua ime më, e cila tashmë ka një problem tjetër: nuk flet dot me fisin në telefon, me hallat, tezet, xhaxhallarët, pasi nuk di si ti përgjigjet pyetjes njëmilion dollarëshe të fisit: “Po hë, si e ke djalin? Ndonjë të re? Po c’po bën akoma? Se I iku mosha. Le ta gjejë një…” Mjafton të jetë “një”, një person i gjinisë femër, pa emër, pa identitet, pa status. Mjafton të jetë vetëm “një” person cfarëdo për të qetësuar ndërgjegjen e trazuar, merakun dhe shqetësimin e pashoq të fisit tim.
E kjo kthehet në një detyrë, jo vetëm për hallat, tezet, dajot, xhaxhallarët, por edhe për komshinjtë edhe lagjarët. Sa e sa herë më kanë ndaluar në ashensor dhe më kanë hedhur atë pyetjen tinëzare:”Po hë cfarë pret, se filani, shoky yt është bërë më dy fëmijë”, “e more vesh filani e ka gruan doktoreshë dhe i ka bërë derman gjithë familjes. Në ditët e sotme, një grua e kompletuar duhet si fillim ti bëjë derman, vetes, burrit dhe gjithë familjes së burrit, kjo është padyshim një vlerë e shtuar e nuses së ardhshme të familjes. Kjo është partnerja ideale që ëndërron fisi për mua dhe mbi të gjitha nuk pyet njeri për dëshirat e mia, për ato cka më lumturojnë mua si person. Jo, kjo kalon në plan të dytë, nuk ka shumë rëndësi. E rëndësishme për ta është që unë të gjej një, vetëm një. E ta mendosh: “Ky presion shoqëror sa shkon e bëhet më i padurueshëm, cdo vit i shkuar të kthehet në një stress më vete sesi të justifikosh veten dhe të tjerët për dicka që në të vërtetë është e pajustifikueshme.
Nuk arrij të kuptoj pse termi “single” apo “beqar” apo I “pamartuar” i frikëson, I “tmerron” fisin, lagjen, komshinjtë e mi. Mos vallë martesa në vetvete nuk është gjë tjetër vecse një normë shoqërore, si cdo normë tjetër e skalitur thellë në ndërgjegjen kolektive, mendësinë dhe kulturën tonë, ashtu si një hap për tu hedhur nga ato hapat që mësohen përmendësh në një kërcim tango apo pasodoble: u linde, do te shkosh ne cerdhe, kopësht, shkollë, universitet,do gjesh punë, do gjesh partnerin e jetës, do martohesh, do bësh fëmijë, se edhe kur nuk bën një fëmijë pas martese edhe ky është një problem më vete për shoqërinë, por kjo duhet të diskutuar në një temë tjetër. Mos vallë ne jemi mësuar me këto norma kulturore dhe tradicionale sipas kësaj rradhe dhe kush guxon ta prishë këtë zinxhirë të hekurt dhe të “shenjtë”, ose kush guxon t’I ndryshoj ati rrjedhën norë vendosur më parë, nuk I ka punët mirë me fisin dhe shoqërinë. Kush guxon ta bëjë këtë do të përcmohet, intimidohet, do të shihet me një sy përbuzës,vherë-herë paragjykues. Dëshira e madhe e paepur e shoqërisë dhe e fisit për të të lidhur, martuar ty me cdo kusht lidhet edhe me një arsye tjetër: Frika e madhe e jetëgjatësisë së tij, se martesa tek e fundit do të sjellë trashëgimtar të denjë për ta cuar hisorikun e fisit dhe mbarëvajtjen e shoqërisë përpara. Na duhet një trashëgimtar me patjetër.
E ka shumë të vështirë për ta kuptuar ajo komshija ime e katit përdhesë se cdo gjë ka të bëjë në fund të fundit me prioritetet që i vë cdo person vetes dhe cka e shikon njëri si të rëndësishme nuk e sheh tjetri si të tillë. Nuk e kupton, apo nuk dëshiron ta kuptoj tezja, halla se mbase sot një femre nuk i duhet një partner apo anasjelltas, se kështu ka vendosur, se kështu e ka parë të arsyeshme ajo/ai vetë, se është një cështje zgjedhjeje që bën cdo individ për jetën e tij, ose tek e fundit ende nuk e ka gjetur personin e duhur, është duke e kërkuar, ose është shumë e zënë pas karrierës profesionale, ose troc fare nuk e dëshiron një gjë të tillë.
Historia dhe përvoja kanë treguar se ka qenë pikërisht ky presion I fortë shoqëror qe ka cuar shumë vajza të reja, por edhe meshkuj të rinj në provinca, zona rurale, apo edhe në qytet, të ndërmarrin ca hapa të nxituar për tu lidhur medoemos dhe për ta finalizuar marrëdhënien e tyre në martesë për hatër të shoqerisë, kohës, ambientit ku jetonin dhe më vonë kanë kuptuar se nuk kanë asnjë gjë të përbashkët me njëri tjetrin dhe se kjo lidhje nuk funksiononte. Pse? Per të kënaqur egon e fisit, të familjes dhe shoqërisë. Krahasimet me njëri tjetrin, ca krahasime të pabaza që bëhen mes moshatarësh të tipit: “Shoku im i ngushtë është martuar, ka krijuar familje, ka edhe dy fëmijë. Ashtu duhet të bëj edhe unë se më iku koha. Koha për cfare? Pse ka një kohë të përcaktuar për këto gjëra?Apo është më mirë të dëgjohet ora e brendshme biologjike, fizike, emocionale, shpirtërore e secilit.
Asnjëherë nuk e kam kuptuar këtë maninë e cuditshme të fisit për të sistemuar dhe cuar sipas rrjedhës, që ato e mendojnë normale cdo pjesëtar të tij. Duket sikur do ta bëjnë gjumin më të qetë komshija, halla, xhaja kur të mësojnë se jam martuar, se jam sistemuar, se jam futur brenda kornizës koncize së tablosë së përkryer dhe të ngrohtë familjare, por më duhet të them se do të mbeten pa gjumë shumë netë me rradhë derisa të kuptojnë se në fund të ditës martesa, lidhja në vetvete nuk është gjë tjetër vecse një cështje zemre, ndjenje dhe kimie. Asnjë ligj tjetër nuk mund të interferojë në ligjin e ndjenjave të brendshme të një njeriu: as nëna, babai, motra, vëllai, fisi apo komshiu…