Është shoqëruar me debate të forta diskutimi në Komisionin e Ligjeve në lidhje me hapjen e dosjeve. Debati plasi gjatë diskutimit të ndryshimeve ligjore që do të çojnë në hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit për të gjithë.
Gjatë diskutimeve, Enkelejd Alibeaj kërkoi hapjen e të gjithë dosjeve si edhe të gjithçkaje që përmbajnë ato duke akuzuar socialistët se po mbronin ish-drejtuesit komunistë të vendit, gjë që ka shkaktuar reagimin e Pandeli Majkos.
Debati në Komision:
Enkelejd Alibeaj: Me hyrjen në fuqi të këtij ligji çdo institucion ka detyrim të publikojë bibliografinë e dokumenteve të shtetit për periudhën 29 nëntor 1944 deri në 2 korrik 1991 të deklasifikuara plotësisht. Çdo person gëzon të drejtën të njihet me dokumentet e ish sigurimit të shtetit dhe të kërkojë një kopje të tyre në përputhje me ligjin për informimin. Unë gjykoj që këtu e ka vendin. Nëse e miratojmë për teknikë legjislative mund ta çojmë ku të doni ju.
Pandeli Majko: Ajo që ne ndahemi këtu është se ne jemi për hapjen e dosjeve sipas të gjitha propozimeve. Ne themi duhet të jemi pak më të rezervuar. Ta lëmë hapjen e dosjes si marrëdhënie mes viktimës dhe dosjes së tij. Ju doni që dosja të bëhet si Facebook.
Ajo që po kërkon edhe relatorja dhe ato që tha kryetarja e komisionit të ligjeve është se kemi të bëjmë me afate. Po diskutojmë për fatin e viktimave. Ti tani do që të na vësh ne në pozitë të vështirë që të thuash maxhoranca nuk do hapjen e dosjeve. Po diskutojmë për një dramë. Nëpër dosje ka edhe detaje, të cilat ndoshta edhe i përndjekuri nuk do që t’i dijë sepse ka të përndjekur që janë detyruar të bëjnë spiunin.
Nuk e kanë mbajtur spiunët regjimin komunist. E kanë mbajtur ca të tjerë. Ne e bëjmë diskutimin sikur të gjithë sistemin e paskan mbajtur këta. Mos insistoni kaq shumë për t’i futur një bojë të djathtës që e keni bërë fërtele. Ka pasur sigurim shteti në 29 nëntor?
E kishin mendjen ata që po vriteshin për të ndërtuar burgun e Burrelit?! Nëse duam të bëjmë retorikë, pas 30 vitesh këto janë budallëqe. Të na thoni ne se ju nuk doni të hapni këto, nuk ka kuptim më. Propozimet që vijnë nga autoriteti dhe me mirëkuptimin e tyre. Ka në dosje detaje që edhe vetë viktima nuk është i interesuar. Janë bërë spiunë njerëz që kanë qenë të përndjekur. Nuk më takon mua ta them këtë duhet ta thoni ju. Na vjen këtu diskuton si adoleshent.
Enkelejd Alibeaj: Ti je kokrra e komunistit dhe s’mund të na mbash leksion këtu.
Pandeli Majko: Ik ore budalla..!