Përmbyllja e konferencës së nëntë ministrore organizuar nga Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) në Nikosia të Qipros, solli në fokus të veçantë bashkëveprimin mes turizmit dhe mjedisit, si binomin e rëndësishëm me ndikim në ekonomi dhe jetën sociale.

E pranishme në këtë konferencë ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, tha se, “reflektimet e përbashkëta me kolegët europianë nënvizuam faktin se bashkëveprimi mes turizmit dhe mjedisit s’ka qenë ndonjëherë më shumë në qendër të vëmendjes se tani”.

Kumbaro promovoi Shqipërinë si model të suksesshëm në bashkëjetesën e shëndetshme mes dy sektorëve, (turizëm dhe mjedis).

“Jemi në rrugëtimin e duhur me ndalimin e plastikës njëpërdorimshe, që e kemi filluar me qeset e do ta vijojmë me të tjera produkte; Me promovimin e destinacioneve lokale, të zgjerimit të zonave të mbrojtura për t’i bërë jehonë ekoturizmit, shtimit të agroturizmeve dhe ruajtjes së traditës së kulinarisë, të gjitha forma për të nxitur ekonominë qarkulluese”, tha ministrja.

Ajo theksoi se, jemi në kontakt të vazhdueshëm me vendet e tjera në krijimin e një modeli komplet të ri të turizmit të qëndrueshëm, miqësor me mjedisin.