Me Lorik Canën është gjithnjë kënaqësi të bisedosh, por shumë e vështirë ta bindësh të flasë për Kombëtaren dhe realitetin futbollistik shqiptar.
Duket se është një strategji e tij për të mos e rënduar ambientin kur gjërat nuk shkojnë mirë. Këtë herë shfrytëzuam një mbrëmje Champions-i në “Tring” për ta bindur kapitenin legjendar të Shqipërisë që të flasë për kuqezinjtë. Në intervistën për “Panorama Sport” ai i prek të gjitha temat, që nga shorti për “Euro 2024”, Kosova dhe padyshim e kaluara e tij te Lacio e Marseja.
Lorik si ju është dukur Kombëtarja?
Në edicionin e fundit, pra në Ligën e Kombeve, mund të kishin bërë më tepër. Skuadra ka cilësi dhe kjo nuk diskutohet. Megjithatë, unë nuk jam më pjesë e skuadrës. Natyrisht, e ndjek Kombëtaren, por nuk marr përsipër të analizoj se çfarë gjërash nuk shkuan mirë. Vlerësimet nga jashtë ndonjëherë nuk janë shumë realiste.
Ç’mendim keni për shortin e Europianit? Pse mendoni që është i tillë?
Sepse mes Çekisë dhe Polonisë, detyra e Shqipërisë është që të lërë poshtë vetes vetëm një prej tyre.
Por ato gjithsesi janë ekipe të vështira…
Po, padyshim, nuk ka asgjë të garantuar në futboll. Por mund të kishim në short skuadra shumë më të vështira se ato. Nuk mendoj se kemi pasur ndonjëherë shans të tillë në të kaluarën.
Ç’mendim keni për Brojën dhe a jeni dakord me mënyrën se si është menaxhuar ai?
Broja është një lojtar shumë cilësor për Shqipërinë. E mira është që t’i merret maksimumi. Por Shqipëria ka gjithashtu edhe lojtarë të tjerë të shkëlqyer që luajnë sot në nivele të larta. Sa i përket rendimentit dhe menaxhimit të tij në Kombëtare nuk dua ta komentoj sepse nuk jam aty brenda skuadrës si dikur. Nuk është korrekte të bëj komente nga jashtë.
Ç’mendim keni për Nedim Bajramin?
Shumë i mirë. Më pëlqen realisht shumë, sepse ka cilësi dhe mund të luajë në disa pozicione në fushë.