Ndarja nga jeta e Bashkim Muhedinit ka prekur mbarë opinionin sportiv dhe jo vetëm. Ish-portieri ikonë i Kombëtares shqiptare dhe i Partizanit ka ndërruar jetë në moshën 74-vjeçare, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vend ku jetonte prej disa vitesh.
Muhedini ka shkëlqyer në vitet ’70 me fanellën e Partizanit dhe të Shqipërisë. Me anë të një postimi, ka reaguar edhe klubi i Partizanit teksa shkruan se familja e kuqe humbet një tjetër ish-portier kampion, pas Sulejman Maliqatit, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë.
POSTIMI I KLUBIT TË PARTIZANIT
“LAMTUMIRË BASHKIM MUHEDINI!
Ish-portieri i kuq është ndarë sot nga jeta në moshën 74-vjeçare
FK Partizani me hidhërim të thellë përcjell lajmin e ndarjes nga jeta të Bashkim Muhedinit. Familja e kuqe ka humbur një tjetër ish-portier kampion dhe pjestar të ekipit tonë Kombëtar, zemra e të cilit ndaloi së rrahuri në moshën 74-vjeçare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku jetonte prej kohësh.
Muhedini regjistron një karrierë dhjetëvjeçare me Partizanin, skuadër me të cilën do të shpallej edhe Kampion i Ballkanit me klube.
FK Partizani i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjarëve dhe të afërmve për këtë humbje të madhe.
U prehsh në paqe Bashkim Muhedini!