Kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një takim me institucionet përgjegjëse për organizimin e Maratonës së Tiranës “Run for Peace”, ku ndau detyrat kryesore për ngjarjen më të madhe sportive të vitit, e cila mbahet të dielën e 23 Tetorit. Ai tha se, këtë vit, Tirana është përgatitur të presë mbi një mijë vrapues profesionistë nga 35 shtete të ndryshme të botës.

Veliaj theksoi se organizimi me sukses i edicionit të gjashtë të Maratonës së Tiranës do të tregojë aftësitë e kryeqytetit për realizimin e një aktiviteti të përmasave të tilla, çka do jetë një vlerë e shtuar për marrjen e titullit “Tirana, Qyteti i Sportit 2023”.

“Këtë vit, kur Tirana ka mbajtur titullin e Kryeqytetit Europian të Rinisë, kemi pasur rreth një mijë aktivitete, por asnjë aktivitet tjetër nuk sjell një pjesëmarrje të jashtëzakonshme si Maratona e Tiranës, sepse vijnë jo vetëm sportistë, por edhe familjarë të tyre apo njerëz të apasionuar që duan të kalojnë gjithë fundjavën në atmosferën sportive të Tiranës. Gjatë muajit tetor do të aplikojmë për titullin “Qyteti Evropian i Sportit” dhe një nga vlerësimet e jurisë në Bruksel është nëse Tirana ka aftësi menaxhuese sistematike për disa aktivitete sportive. Ndaj, besoj që organizimi i Maratonës së Tiranës, apo organizimi i eventeve të tjera sportive si: Kampionati U21 të Taekuondo, të Xhudos, të Triathlonës, etj., janë pjesë e CV-së tonë për të qenë Qyteti Evropian i Sportit 2023”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës.

Veliaj bëri thirrje që kushdo që dëshiron të marrë pjesë në garë, duhet të regjistrohet në faqen zyrtare të maratonës. Por, nga ana tjetër kërkoi mirëkuptimin e qytetarëve që, në 23 Tetor, të lëvizin pa makina. Ai përmendi edhe disa nga rrugët që do të bllokohen atë ditë.

“Rendi i rrugëve që do të bllokohen janë: Bulevardi “Zogu i Parë”, “Bulevardi i Ri, rruga “Dedë Gjon Luli”, rruga e “Durrësit”, rruga e “Kavajës”, “Ibrahim Rugova”, “Myslym Shyri”, “Gjergj Fishta”, “Bajram Curri”, “Lekë Dukagjini”, Sheshi “Nënë Tereza”, rruga “Gjergj Filipi, rruga “Papa Gjon Pali”, rruga “Ismail Qemali” , bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, ura te rruga e “Elbasanit, rruga “Xhoxh Bush” dhe rruga “Abdi Toptani”. Këtë itinerary do ta botojmë edhe në mediat sociale. Sigurisht, do të jetë e hapur Unaza e Madhe e Tiranës, për ata që do të bëjnë lëvizjet unazore, për të mos paralizuar totalisht jetën e qytetit. Gjithashtu, kërkoj mirëkuptim dhe të kemi një komunikim shumë të mirë me qytetarët për çështjen e parkimit. E kuptoj se një pjesë kanë parkime me kontratë, por do të duhet të tregojnë mirëkuptim, siç kanë treguar gjithmonë, që ne ta kemi qytetin në një situatë optimale”, sqaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se gara do të zhvillohet për 4 kategori të ndryshme, Marathon 42 km, Half Marathon 21 km, Tirana 10 km dhe kategoria “Ëe Too”, për të gjithë personat me aftësi ndryshe. Sigurisht, për fituesit e tre vendeve të para, të secilës kategori, do të ketë edhe një çmim në vlerë monetare.

“Pres një përkushtim dhe angazhim maksimal për pastrimin e menjëhershëm të qytetit. Nuk është vetëm pjesa e kartolinës, por ka edhe një vlerë ekonomike për kryeqytetin. Shpresoj që kauza që kemi zgjedhur këtë vit, për të dhënë një mesazh nga Tirana për paqen dhe për t’u kultivuar si një qytet që promovon paqen, që promovon bashkëjetesën, sidomos në këtë kohë luftërash dhe konfliktesh, ky është një nga mesazhet më të bukura që mund të japim. Ju falenderoj me gjithë zemër për një punë që na pret në datë 23 Tetor dhe me shpresë që na hap një punë tjetër të madhe, që është Tirana Qyteti Evropian i Sportit për 2023”, e mbylli fjalën e tij Veliaj.