Nga Jakin Marena/
Sali Berisha vetë por dhe mbështetësit e tij në PD po bëjnë sikur i kanë ‘harruar’ përbetimet se do ta fitojnë me patjetër gjyqin me sekretarin amerikan të shtetit Blinken, pas ankimimit në një gjykatë rajonale në Paris. Nuk përmendin madje as ecurinë e shqyrtimit të kësaj çështjeje, as nuk konvergojnë në deklarata në lidhje me faktin nëse është marrë në shqyrtim, por është lënë në mënyrë evazive. Çka në të vërtetë përkthehet se ndonëse kjo gjykatë rajonale e ka marrë “postën” e dërguar nga Tirana për ankesën e Berishës, gjithçka është e ‘fikur’ totalisht për pjesën pasuese. Ata pak shqiptarë me në krye të Berishën, të shqetësuar për shpalljen e liderit historik të PD që kryeson grupimin më të fuqishëm në parti, nuk po kërkojnë më as zbardhjen e fakteve e provave që shërbyen si argument për shpalljen të padëshirueshëm në SHBA të liderit historik. Nuk dëgjohen më kërkesa të tilla se ku janë provat që shërbyen për ta sanksionuar Berishën për korrupsion të theksuar, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Janë shuar dhe zërat e paktë që kërkonin këto prova nga DASH për të vënë në vend “dinjitetin” e Sali Berishës. Pasi e ka quajtur çështje dinjiteti tërë luftën e Berishës për të rimarrë drejtimin e PD dhe dëbuar “besë-prerin” Lulzim Basha nga drejtimi.
Dhe e bënë një gjë të tillë, duke i marrë shumicën e PD, ndërkohë që Basha i është “dorëzuar” tashmë takimeve ilegale me ata pak mbështetës që i kanë mbetur. Për të qenë korrekt me veten dhe lexuesin, Basha gjithnjë ‘hije’ ka qënë në PD dhe kur ishte kryetar i saj, me një alergji të tmerrshme ndaj takimeve me demokratët dhe në përgjithësi me njerëzit. Ishte një dembel funksional, nuk i funksiononte asnjë “antenë” për të nuhatur lëvizjet politike. Nuk mund ta themi këtë për lekët. Aty ishte mjeshtër Basha, nuk i linte të “binin në tokë”. Ndaj u pasurua shumë dhe në opozitë. Por që të kthehemi sërish tek argumenti, Berisha e nisi luftën e tij kundër SHBA pas shpalljes “non grata” familjarisht dhe mbi të gjitha pas përjashtimit nga grupi Parlamentar i PD dhe më vonë dhe nga vetë partia, një vendim personal ky i Bashës, për “mbrojtjen e dinjitetit”. Pasi sipas tij, “dinjiteti është gjëja më e çmuar që ka njeriu në jetë dhe ajo nuk mund të merret kurrsesi, aq më tepër me akuza të rreme, të mbështetura në lobimet e Sorosit dhe Edi Ramës në Uashington”.
Tani në këtë grup ka shtuar dhe Bashën, si pjesë e “grupit të së keqes” që i bëri gjëmën atij, aq sa sot është “non grata” dhe në Britaninë e Madhe, por në mënyrë të pashpallur dhe në vendet anëtare të PD, vendet aspirante, grupimi i djathtë politik PPE dhe gjithë bota demokratike në përgjithësi. Askush nuk jep as dorën, jo më mbështetje, ndonëse kryeson grupin opozitar më të madhe në vend, e në një vend normal pa qënë “non grata” ai duhej të ishte alternativa qeverisëse dhe një parti kandidate për të marrë në dorë qeverisjen e vendit. Bashkë me “erën” e pushtetit, që tashmë s’ndjehet fare në PD dhe në tërë opozitën e mbërthyer nga përçarja e konfliktet për çështjet e lidershipit në parti dhe grupimin opozitar, Berisha ka ‘harruar’ dhe përmendjen e luftës “për dinjitet”.
Madje Berisha ka dhe një stepje dhe përballë amerikanëve dhe ambasadores së SHBA në Tiranë. Nuk sulmon më dhe kur me kutin e tij ia ‘bëjnë borxh”. Siç është rasti i fundëm i deklaratave të njëpasnjëshme të Yuri Kim në drejtim të drejtësisë së re, të përmbledhura në kërkesën që të mos kenë frikë që ta “ngrenë dorën” ndaj të fuqishmëve dhe atyre që kanë lekë për t’i dërguar para drejtësisë. Dhe lekë pa hesap ka Berisha, familja e tij. Bën dhe presion ndaj drejtësisë ai. Por Berisha është stepur, me sa duket është frikësuar shumë pas akuzave për lobimin në SHBA me para ruse. Eshtë lobuar në emër të PD, tjetër që Berisha kërkon ta ndajë PD-në që kryeson nga Basha, duke ia faturuar ish kryetarit të kësaj partie pikërisht lobimin në SHBA, në maj 2017.
Nëse merr për bazë deklaratat e Berishës se Basha ka qënë i shitur tek Rama kur mori gjysmën e qeverisë pas paktit të arritur në selinë e kryesisë së Kuvendit të Shqipërisë, teksa u disa orë deri në mesnatë në takimin tet a tet, gjithkush mund të pyesë se çfarë leverdie kishte Basha që kishte mbyllur pazarin me Ramën duke i marrë postet më me lekë për disa muaj në këmbim të mandatit të dytë po sipas Berishës, që të lobonte në emër të PD, për të marrë mbështetjen e SHBA. Shtuar këtu dhe akuzat e hershme të Berishës për Yuri Kim ae ajo e mbështeti këtë pazar për të mbajtur Ramën në pushtet, duke i bërë presion ndaj Bashës me dosje.
E vërteta është se në PD dhe në 9 vitet e drejtimit të Bashës, zyrtar themi sepse strukturat në dorë i kishte Berisha me ish badigardët dhe kamikazët e tij, asnjë ‘mizë’ s’lëvizte pa dijeninë e lejen e liderit historik të demokratëve. Dhe pakti me Ramën, por dhe lobimi në SHBA me para ruse është bërë me dijeninë e plotë të Berishës, i cili gjithnjë flet me detaje për gjithçka, ndërkohë që nën hundën e tij ia paska “futur” pa ndjerë Lulzim Basha. Shumë e vështirë për t’u besuar kjo nga asnjë shqiptar normal. I themi këto për të hequr dhe dilemat më të fundit të të gjithë të çuditurve nga vendimi i SHBA për shpalljen “non grata” të Berishës, se tre motivimet mbi të cilat u bazua vendimi i DASH janë vetëm “maja e Ajzbergut” të shkakut të vërtetë të saknsionimit të Berishës.
Amerikanët kanë dijeni për gjithçka. Madje dhe për për strumbullarin e vërtetë të lobimit me para ruse në SHBA, dhe për njeriun e vërtetë të cilin Moska paska “dorovitur” me këtë shumë parash, për ta pasur mbështetje ose thjeshtë për të larguar vëmendjen. Pra jo për një fushatë zgjedhore të ‘shitur’ sipas Berishës më 2017, por për ato që ndodhën më pas, dhe që pritet të ndodhin. Jo pa qëllim PD i kujtua dy vite më vonë se Rama ua “paska blerë votat” ndaj kishte fituar, jo pa qëllim viti 2019 ishte viti kur opozita doli jashtë kontrollit dhe sistemit, teksa dogji mandatet e deputetit dhe sulmoi institucionet dhe me lëndë plasëse. Janë të lidhura gjërat e shërbimet kishin gjetur njeriun e duhur për të destabilizuar Shqipërinë dhe Ballkanin. Kishte probleme në Malin e Zi, një tentativë për grusht shteti.
Maqedonia e Veriut dhe ajo ishte në përplasje të thellë politike, pasi Nikola Gruevski po përballej me publikimin e përgjimeve që i bënë gropën politikisht dhe që një vit më vonë humbi dhe zgjedhjet. E tani është në azil politik. Pavarësisht se Berisha e mbështeti dhe u bëri thirrje partive shqiptare në vendin fqinj të krijonin aleancë me partinë në pushtet të Gruevskit, ndërkohë që Rama i uli në tryezë dhe ata mbështetën Zoran Zaev. Jo pa qëllim opozita në atë kohë, e dalë jashtë sistemit, intensifikoi sulmet ndaj institucioneve dhe qeverisë legjitime të kryesuar nga Edi Rama. Duhej me patjetër destabilizimi i Ballkanit, qoftë dhe me disa nga “rusët e bardhë’ që u morën “hua” nga Shkupi ku ishin në ndihmë të Gruevskit, apo me shtimin e “personelit” të ambasadës ruse në Tiranë, po nga Shkupi. Për të gjitha këto askush të mos mendojë se ishte Lulzim Basha “maja” e drejtimit të gjithë këtij aksioni të dhunshëm opozitar ndaj institucioneve. Nuk e kishte takatin për një gjë të tillë. Madje ai nuk çonte në fund as himnin kombëtar, që merrte përsipër ta këndonte live në oborrin e selisë së PD pas çdo mbyllje proteste, pasi nga fundi i merrej zëri. Nga frika por dhe nxitimi për ta mbyllur sa më shpejt pa ndonjë gjëmë protestën dhe shkuar në shtëpi. Me një fjalë ishte jashtë “habitatit” të tij prej dembeli funksional.
Pas gjithë kësaj përpjekje të dhunshme ndaj institucioneve qëndronte Berisha. Në prapaskenë, duke dalë në mënyrë të reduktuar para mediave dhe duke ia lënë Bashës “faturën” zyrtare të drejtimit të protestave të dhunshme. Basha nuk e bënte e as e ka bërë kurrë ndonjëherë “njëshin” askund. “Dyshin” po. E bënte mirë sepse ishte një zbatues i drejtëpërdrejtë i urdhërave të Sali Berishës. Madje pa u menduar fare.
Dhe Berisha kishte deklaruar dy vite para se të digjeshin mandatet se ‘duheshin ekzekutuar’. E ka me zë dhe figurë, nëse futesh në motorin e kërkimit “google”, ku mund ta shohin dhe ata që mbrojnë Berishën. Basha ishte thjeshtë altoporlanti. Berisha me sa duket ishte me mision, dhe këtë e dinin të gjithë. Edhe Basha, por kishte frikë. Ndaj e kandidoi në listën e Tiranës në zgjedhjet e 25 prillit 2021, megjithëse ia thanë qartë se s’duhej ta bënte.
Madje amerikanët e dinin të parët, janë shteti më i konsoliduar i botës, që nga demokracia funksionale e deri tek institucionet e sigurisë, mes të cilave dhe shërbimet inteligjente të saj. Mbi të gjitha nuk është si në Shqipëri, kur funksionarët e lartë, pasi bien nga detyra, jo vetëm që nuk pyeten por anatemohen dhe harrohen. Asnjë fjalë nuk u merret për bazë. Ndërsa në SHBA kanë fjalën e tyre me peshë. Ndaj është vend i të gjitha mundësive e i një demokracie të zhvilluar në përmasat maksimale, ku fjala e gjithkujt ka peshën e vet dhe merret për bazë. Nuk është rastësi që pikërisht në vitin 2017, njëri ndër zërat më potentë të shërbimit sekret amerikan, ish nëndrejtori i FBI-së, kishte folur për lidhjet e Berishës me Moskën. Madje sipas tij në shërbim të vazhdueshëm ndaj politikës ruse për shtrirjen e ndikimit të saj në Ballkan. Më konkretisht, ish numri dy i FBI-së amerikane, Mark Rossini, ka komentuar protestën e opozitës në Tiranës që në atë kohë, pra kur PD ishte ngujuar në “çadrën e lirisë”. Një mesazh që mban datën 21 shkurt 2017. Sipas tij, kjo protestë bëhet nën ndikimin e fortë rus. Dhe Rossini shkruan se Berisha ka humbur fuqinë dhe nëse merr sërish pushtetin, Vladimir Putin do të ketë mundësinë të kontrollojë Shqipërinë dhe Kosovën.
“Në Shqipëri po zhvillohen protesta të drejtuar nga Sali Berisha i cili është nën influencën ruse. Ai dhe familja e tij ka humbur pushtetin. Nëse Sali Berisha rikthehet në pushtet Putin do të marrë në kontroll Kosovën dhe Shqipërinë. Putin kërkon dalje direkte në portet e Adriatikut”, shkruan Rossini në një postim në Tëitter. “Pa mendojeni pak. Shqipëria, vendi i fundit në Adriatik që do i bashkohet BE-së, është qëllimi i Merkelit dhe Ramës dhe ajo çfarë duan gjithë shqiptarët. Putin dëshiron të shkatërrojë BE-në dhe Shqipëria në BE i mohon portin e tij në ujëra të ngrohta. Pse është Berisha kukull e Putinit?”, vijon ai. Asokohe kreu zyrtar i PD ishte Basha, por ish drejtuesi i FBI përmend vetëm Berishën.
Pra shqeto fare, Rossini e cilëson Berishën një “kukull të Putinit”, dhe nuk përmend në asnjë cep të mesazhit të tij Bashën. Për të cilin jo vetëm shqiptarët por dhe amerikanët ishin të bindur se ishte nën dominimin e Berishës, ‘kukull’ e tij. Ishte thjeshtë për të firmosur dhe për të marrë përsipër zyrtarisht të gjitha pehlivanllëqet e Berishës. Dhe Berisha si për të vertetuar fjalët e ish numrit dy të FBI, Rossini, jo më larg se para disa javësh u shpreh qartë dhe fort kundër ndërtimit të portit ushtarak të NATO-s të kryesuar nga SHBA, në Durrës. Pra u shpreh kundër “daljes së BE në ujëra të ngrohta”. Siç dëshiron Putin. Këto i dinin amerikanët, dhe ata të “çuditurit” nga vendimi i DASH për të shpallur “non grata” Berishën, duket ta fusin në “llogari” dhe këtë deklaratë të ish numrit dy të FBI-amerikane. Askush në SHBA, qoftë në funksione apo jashtë tyre nuk flasin kot. I shërbejnë strategjisë së mbrojtjes së vendit të tyre, në funksion të sigurisë kombëtare të Amerikës he aleatëve të saj. Nuk duhet të mendojë askush se kjo nuk është regjistruar, ndaj dhe askush nuk e beson se Basha ka marrë para pa leje tek rusët, janë “faturë” reale e Berishës.
I cili me sa duket ka vepruar dhe po vepron thjeshtë dhe vetëm nën diktatin e “rublave”, është në listë-pagesën e Kremlinit. U duhet dhe tani në këtë situatë të zymtë të luftës me Ukrainën, ku trupat ruse po humbasin ndjeshëm terren ndaj atyre ukrainase. U duhet për hapjen e një “fronti” të ri destabiliteti në Ballkan, për të hequr vëmendjen nga Ukraina, për t’i garantuar njëfarë frymëmarrjeje Putinit, që të ketë duart më të lira për të vepruar. Ndaj me sa duket Berisha po përpiqet me të gjitha mënyrat për të destabilizuar situatën në Shqipëri, e për pasojë për t’i dhënë zjarr rajonit. Koha për të bërë punën për të cilën është paguar. Kreu i grupit parlamentar të mazhorancës Taulant Balla është i bindur se Berisha ka qënë dhe është në listëpagesën e Putinit. Madje deklaron se do të dalin detaje të reja në lidhje me këtë fakt, do të ketë prova dhe fakte. Dhe kryeministri Edi Rama i përbahet fort sulmeve ndaj opozitës së “rublave”, e përmend në të gjitha takimet që ka zhvilluar këto ditët e fundit, me qytetarët. Madje nuk mungojnë t’i kujtojnë dhe votën pro rezolutës së përpiluar nga kreu i grupit të partisë së Putin në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, bazuar mbi raportin e Dick Marty, ku akuzohen ish komandantët e UÇK se kanë bërë trafik organesh njerëzore. Janë në burg ata.
Megjithë këto situata përballë, duket se Berisha është i stepur. Më shumë se sa nga mungesa e mbështetësve për të bërë protesta të mëdha, ishin paralajmëruar për në shtator, por po mbyllet tetori dhe asgjë nuk duket në horizont, Berisha është stepur me sa duket nga mesazhet e “nxehta” që i kanë ardhur nga Uashingtoni. Ka hequr dorë nga protestat e mëdha e tashmë Berisha i është “dorëzuar” kauzave të momentit. Herë duke nxjerrë pedagogët për të bojkotuar mësimin në universitete, herë duke nxjerrë njerëzit e tij në protestën ndaj policisë për rastin “Kurti”, i cili u nda nga jeta pasi u ndalua nga policia. Thjeshtë mbështetje publike të këtyre protestave po prezanton Berisha. Vetë nuk merr zyrtarisht asgjë përsipër, për të organizuar një protestë të PD. Madje “tradhëtoi” dhe Metën në protestën që ish presidenti organizoi për inceneratorët në periferi të Tiranës.
Tashmë i kanë ‘mbaruar” fjalët dhe akuzat dhe ndaj amabsadores së SHBA në Tiranë Yuri Kim, megjithëse Kim s’mungon të takojë të gjithë deputetët e grupit të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj. Të cilët votuan dhe ligjin për hapjen e dosjeve. Berisha sikur është tulatur. Që i ka ardhur një mesazh nga SHBA kjo nuk diskutohet. Por se cili ka qënë mesazhi mbetet për t’u parë. Ndonëse Berisha, referuar dhe paralajmërimeve të njerëzve të mazhorancës, është nën frikën e zbardhjes së detajeve të reja për lidhjet me rusët. Pasi pas deklaratës së Rossinit, ka qënë një nga mediat më të rëndësishme në Malin e Zi ajo që konfirmoi para disa ditësh se Sali Berisha është pika e kontaktit të Rusisë në Ballkan. Ndërsa Berisha pret me “dorë në zemër” bërjen publike të fakteve të reja për lidhjet e tij me Kremlinin në dëm të Shqipërisë, shqiptarët presin me kërshëri se cila ka qënë bëma e radhës e njeriut që ka marrë peng opozitën në mënyrë të dhunshme. Për ta parë ndoshta jashtë politikës dhe për të parë në fund të herës një opozitë normale në vend. E meritojnë këtë shqiptarët.