Show i kërcimit në televizionin Klan, fillimisht i quajtur “Dance With Me”, ndryshoi emrin pas më shumë se tre jashësh transmetim. Për gjashtë edicione emisioni është quajtur “Dance With Me”, ndërsa tani quhet “Dance Albania”. Por “hija” e “Dance With Me” duket se nuk ka ikur ende. Konkurrentët fitues të “Dance Albania” marrin një kupë në përfundim të çdo nate spektakli, një kupë me emrin “Dance With Me” në të.
Kjo u vu re në emisionin e mbrëmshëm, ku moderatorja Alketa Vejsiu i dorëzoi kupën e “Dance With Me”, konkurrentit fitues të asaj puntate, Meridian Ramçaj. Kujtojmë se ky nuk ishte i vetmi ndryshim. Këtë sezon u futu edhe sfida e eleminimit, ku konkurrenti/ja me performancën më të dobët, largohet përfundimisht në fund të mbrëmjes. Mesa duket producentja Vera Grabocka dhe prezantuesja Alketa Vejsiu janë detyruar pas fillimit të spektaklit nga krijuesit e patentës të përshtasin këto ndryshime të reja në spektaklin e tyre. Por s’kanë menduar ende si duket për detajin e kupës.
Më herët Alketa foli për “Prive” lidhur me projektin dhe tha se ndihet e sigurt dhe nuk ndjen konkurencë. “E di pse nuk e ndjej. Se i kam prezantuar të dyja si formate, kështu i quaj të dyja bebet e mia. Dhe i dua të dyja njësoj. Dhe më vjen mirë që për audiencën të ketë cilësi, argëtim cilësor. Kështu ata janë kolegë që punojnë në të njëjtën industri. Të bëjnë një gjë të bukur. Publiku shqiptar të kënaqet dhe të argëtohet. S’ka xhelozi për mua, s’ka konkurencë. Kush bën gjëra të mira i jap dorën,”-tha ajo.