E ardhmja e Edi Rejës te Shqipëria mbetet ende mister, me trajnerin italian që i skadon kontrata me Kombëtaren në muajin nëntor. Përtej Adriatikut janë të sigurt se FSHF nuk do të vijojë bashkëpunimin me teknikun 76-vjeçar dhe se kanë zgjedhur kandidat një emër të njohur si në arenën e trajningut, por edhe kur aktivizohej si futbollist.
Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive italiane “La Gazzetta dello Sport”, Luixhi Di Biaxho është kandidati potencial për të qenë trajneri i Shqipërisë menjëherë pas shpalljes së “divorcit” me Edi Rejën. Nuk dihet ende se çfarë pritet të ndodhë, por në mediat italiane janë të bindur se ish-futbollisti i Interit, i Romës dhe i kombëtares italiane do të ulet në pankinën e Shqipërisë.
51-vjeçari italian, ka mbajtur veshur gjithashtu edhe fanellat e Breshias, Lacios, Foxhias, Monzës dhe Askolit. Ndërsa në karrierën si trajner, Di Biaxho ka stërvitur SPAL-in, Italinë U-21, Italinë U-20.