Interi luajti mbrëmë kundër Barcelonës, ndërsa Kristjan Asllani mund të ishte bërë heroi i atij takimi. Mesfushori shqiptar u fut si zëvendësues duke qenë në fushë për 13 minuta. Elbasanasi pati rastin e artë në minutën e 94-të ku përballë Ter Stegen nuk arriti të shënonte. Por, edhe të pasonte do ta kishte mjaft të lehtë t’i jepte avantazhin ekipit të tij. Mediet italiane i kanë kushtuar një artikull djaloshit shqiptar, që pas bilbilit të kryesorit, nuk mundi t’i mbante lotët në fushën e stadiumit “Camp Nou”.

“Asllanin nuk e prek askush. 4-3 ka mbetur në ëndrrat e Interit dhe Simone Inzaghit. Ka një farë përgjegjësie Kristjan Asllani. Është një moment me të cilin do të duhet të përballet “regjisori” i ri dhe i talentuar i datëlindjes 2002. Duhet të punojë shumë nga ana psikologjike për të kaluar këtë moment. Vendi i titullarit në formacion është ilaçi më i mirë që mund të aplikojë Inzaghi për të, i cili di më së miri të menaxhojë grupin. Duhet ta bëjë që në ndeshjen me Salernatinën për t’i rritur besimin. Ai luajti një rol kyç në golin e avantazhit 3-2. Ta kryqëzosh nuk do të ndihmonte askënd, më së paku Interin që ka nevojë për të. Ky i ri duhet mbrojtur, duke i hequr peshën e një gabimi që i ndodh kujtdo dhe që nuk duhet t’i ndikojë në proçesin e rritjes”, shkruhet te “Calciomercato” për mesfushorin kuqezi.