Maks Vershtapen është njeriu i momentit në Formulën 1, teksa piloti i Red Bullit të dielën fitoi titullin e dytë kampion radhazi. Por le të ndalemi te dhjetë momentet kyçe të karrierës së holandezit, duke nisur që nga debutimi në kategorinë kart, deri te rekordet e pabesueshme në F1.

KAMPIONI MË I RI NË KART

Në vitin 2013 Maks Vershtapen nisi ngjitjen e shkallëve në kategorinë kart, pasi më parë kishte regjistruar suksese në “KF2” dhe “KZ2”. Duke kaluar nga Intrepid në CRG, Maks realizon një sezon të artë, duke u bërë piloti i vetëm që fiton tre tituj në një sezon të vetëm, teksa asokohe triumfonte në Europianin dhe Botërorin KF, si dhe siguronte gjithashtu titullin botëror KZ në Francë kur ishte vetëm 15 vjeç. Ky rezultat e bëri holandezin pilotin më të ri të të gjitha kohërave kampion bote në kategorinë KZ, rekord që e ruan edhe sot.

SUKSESET AMERIKANE

Pas testeve pozitive në fund të 2013-ës, Maks Vershtapen debuton në Motorsport në janar të 2014-ës me “Florida Winter Series”. Një kampionat me makina “Tatuus” me motorrë “Fiat Powr Train”. Pas garës së parë ambientuese, menjëherë që në të dytën më 5 shkurt, Vershtapen triumfon pasi kishte siguruar “pole position”. Ndërsa vetëm disa javë më vonë, gjen përsëri fitoren, duke mundur në një duel të bukur Nikolas Latifin. Paraqitje këto që e katapultuan shumë shpejt në Formula 3 me skuadrën Van Amersfoort.

NGA FORMULA 3 NË…

Që në sezonin e tij të parë në Formula 3 Maks Vershtapen arrin që t’i tregojë menjëherë aftësitë e tij. Me një ritëm të vështirë për t’u mbajtur nga rivalët, ai arrin gjashtë fitore radhazi, duke qëndruar për shumë kohë në garë për titullin, ndonëse ishte debutues. Por përveç gjashtë sukseseve radhazi, Maks përfundon edhe tetë herë jashtë garave, kjo për shkak të grintës dhe egos së tepruar të holandezit. Kështu ai e mbyll sezonin në vend të tretë, por duke hedhur bazat për debutimin në Formula 1.

SHFAQJA E PARË NË ZANDVOORT

Që Maks Vershtapen ishte një talent i vërtetë u kuptua në vitin 2014, sezon kur dominoi në Zandvoort Masters, event i rezervuar për makinat e Formulës 3. Edhe pse radha e nisjes nuk ishte më aq e pasur si në kohët e Marlboro Masters, Vershtapen realizon një paraqitje të shkëlqyer me makinën “Dallara F311 Volkswagen” të skuadrës Motopark. Fillimisht arrin “pole position” më një kohë fantastike në kualifikuese, e më pas dominon tërësisht mbi rivalët në garë. Vetëm Jules Szymkowiak arrin disi që t’i rezistojë, duke qëndruar 5 sekonda larg, por më pas edhe ai e humbet podiumin si shkak i një penalizimi. Kështu Maks “junior” shndërrohet në “profet të Holandës” në një prej eventeve më prestigjiozë të motorsportit në vend.

max-verstappen-red-bull-racing

DIREKT NË F1

I afruar te Red Bull, Maks futet menjëherë në programin e Formulës 1 me Toro Roson. Kontaktin e parë me Formulën 1 e ka në provat e lira të Japonisë në 2014-ën, ndërsa debutimin do ta bëjë një vit më vonë në Australi. Vetëm 17 vjeç e 166 ditë, Vershtapen thyen rekordin që mbahej nga Jaime Alguersuari si piloti më i ri në F1. Por këto nuk janë rekordet që ai dashuron më shumë, pasi holandezi kërkon që të njihet për rezultatet.

Kështu që në garën e tij të parë, Maks për pak sa nuk arrin zonën e pikëve, duke treguar pilotim dhe aftësi të shkëlqyera në pistë. Vetëm një defekt në motor i heq mundësinë e futjes në histori si piloti më i ri që merr pikë në F1, po gjithçka është vetëm çështje javësh…

REKORDI NË MALAJZI

Në garën pasardhëse në Sepang, Maks Vershtapen futet i karikuar, i motivuar dhe i vendosur për të shënuar një tjetër rekord në Formula 1, pas atij të debutimit në Melburn. Kështu ai merr një vend të gjashtë në kualifikuese me Toro Roson, për t’u renditur më pas i shtati në garë. Kështu vetëm 17 vjeç e 180 ditë, Vershtapen bëhet piloti më i ri që futet në zonën e pikëve në F1.

REKORDI NË BARCELONË

Duke u ngjitur në skuadrën Red Bull në vend të Danil Kviat, Maks Vershtapen vijon progresionin duke djegur një tjetër rekord. Ndodh në Spanjë, në Montmelo. Me “harakirin” e makinave Mercedes të Luis Hamilton dhe Niko Rozberg, të cilat përfunduan jashtë, Vershtapen ndjek një strategji me 2 “pit stop”, ndërsa të tjerët bëjnë nga 3.

Edhe pse e rrezikshme, strategjia rezulton frytdhënëse, teksa Vershtapen i bën ballë deri në fund sulmit të ferraristit Kimi Raikonen, duke marrë kështu fitoren e tij të parë në karrierë në Formula 1. Vetëm 18 vjeç e 228 ditë, ai thyen kështu rekordin që mbahej nga Sebastian Fetel, si fituesi më i ri i një garë në F1.

“BLIC” NË SEPANG

Pas dy të tretave të sezonit 2017 jo si një protagonist i vërtetë, kjo edhe për shkak të egos së tepruar në disa raste, të trashëguar nga i ati, Jos, Maks Vershtapen merr sërish skenën. Ndodh përsëri në Sepeng, në një garë të destinuar për të shkuar në favor të Luis Hamiltonit.

Por që në momentet e para, Maks hidhet në sulm, teksa merr kreun dhe triumfon bindshëm. Pas kësaj gare, holandezi vijon një fund sezoni ekzaltues: renditet i dyti në Japoni, në Austin klasifikohet i katërti pas një penalizimi, ndërsa në fund triumfon në Çmimin e Madh të Meksikës me një manovër të shkëlqyer në dëm të Sebastian Fetelit.

TITULLI HISTORIK NË ABU DABI

Pas shumë vitesh dominimi absolut nga Luis Hamilton, mbretërimi i britanikut në Formula 1 bie në vitin 2021. Një sezon për infarkt, që vendoset në garën e fundit, ose më saktë në xhiron e fundit. Aksidenti ndërmjet Mik Shumakerit dhe Nikolas Latifit, i mundëson Vershtapenit për t’u afruar me Hamiltonin.

Beteja me daljen e makinës së sigurisë nga pista fillon me vetëm një xhiro në dispozicion për pilotët, por me Red Bullin të avantazhuar për shkak të gomave të buta, ndërsa Mercedesi i britanikut është më goma të mesme. Kështu Maks e kalon lehtësisht rivalin e tij në xhiron finale, duke marrë titullin e parë kampion në Formula 1, edhe pse gara mbyllet me shumë polemika, me akuza të forta për mënyrën e menaxhimit të xhirove të fundit nga drejtori i garës, Alberto Masi.

MBROJTJA E KURORËS NË SUZUKA

Sezoni 2022 nis disi i vështirë për Maks Vershtapenin, i cili duhet të bëje llogaritë më rivalë të rinj, ferraristët Lëklerk dhe Sainz. Por pas garave të para në ndjekje, Maks merr komandën duke regjistruar plot 11 fitore, ndërsa kundërshtarët e Ferrarit bëhen protagonistë të një serie të gjatë dhe të vazhdueshme gafash.

Gjithçka vendoset në Suzuka, në shtëpinë e Hondës. Vershtapen nuk shqetësohet aspak nga kushtet e vështira të një gare me shi, siguron fitoren e 12- të sezonale, ndërsa penalizmi i Lëklerkut, me monagaskun që zbret i treti, i dhuron titullin e dytë radhazi kampion në Formula 1. Ky është titulli i konfirmimit botëror për pilotin e Red Bullit. Me një kontratë deri në vitin 2028 me skuadrën austriake, tashmë për 25-vjeçarin Maks Vershtapen nuk është utopi thyerja e rekordit të shtatë titujve, rekord që mbahet nga Majkëll Shumaker dhe Luis Hamilton./Panorama Sport