Milan-Chelsea ishte projektuar si një sfidë e bukur për tifozët, me futboll të hapur, ku të dy ekipet do të kërkonin tre pikët, por mjaftoi një vendim i gjyqtarit të takimit për të shkatërruar çdo parashikim. Në minutën e 18-të, Tomori ndërhyri ndaj Mount dhe kryesori Siebert akordoi penallti dhe të kuqe për mbrojtësin, një vendim që u kontestua gjatë nga lojtarët, trajneri Pioli, nga i gjithë stafi i Milan. Graziano Cesari, ish shefi i arbitrave në Serie A është ndalur te ky episod:

“Një vendim i pashpjegueshëm, sepse prekja e Tomori nuk është për penallti. Arbitri thotë se e ka mbajtur, por pamjet tregojnë të kundërtën. Duart nuk shtrëngohen kurrë, ndërsa lojtari bën edhe disa hapa, më pas rrëzohet. VAR nuk mund të ndërhyjë në këtë rast pasi nuk gjykon intensitetin e kontaktit. Nuk ekziston kjo lloj penallti”, u shpreh Cesari. Në të njëjtën linjë janë edhe mediat e tjera, mbaje ndalen edhe tek kartoni i dytë i verdhë i pa dhënë për Sterling. Nuk e ka pritur mirë këtë vendim të gjyqtarit edhe trajneri Pioli:

“Ishte shumë e qartë për ta gjykuar. I thashë gjyqtarit atë që mendoja, nuk mund t’iu them se çfarë i thashë, por mendoj se ai i kuptoi pavarësisht anglishtes time jo të rrjedhshme”, theksoi Pioli i cili ndër të tjera shtoi se Milan e ka ende në dorë fatin në Champions, mjafton të fitojnë dy ndeshjet e radhës.