Sëmundjet e zemrës janë shkaku kryesor i vdekjeve në botë me rreth 17.9 milionë njerëz që vdesin prej saj çdo vit, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë.
Sipas OBSH-së zbulimi i hershëm i sëmundjeve të zemrës, të cilat shpesh çojnë në sulme në zemër, mund t’u japë pacientëve kohë për trajtim, gjë që mund të shpëtojë shumë jetë.
Së fundmi studiuesit kanë zbuluar se një test i thjeshtë i syve mund të përdoret për të diagnostikuar sëmundjet e zemrës me ndihmën e inteligjencës artificiale (AI).
Studimet e mëparshme kishin treguar sesi rrjeti i venave dhe arterieve të retinës mund të ofronte indikacione të hershme të sëmundjeve të zemrës.
Ky hulumtim shqyrtoi se si gjerësia e këtyre enëve të gjakut mund të përdoret për të parashikuar sëmundjet e zemrës, por nuk ishte e qartë nëse gjetjet zbatoheshin në mënyrë të barabartë për burrat dhe gratë.
Studiuesit në St George’s, Universiteti i Londrës, përdorën një model të inteligjencës artificiale për të studiuar një bazë të dhënash të përbërë nga pacientë nga dy studime në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë, për të parashikuar rrezikun e ardhshëm të sëmundjeve kardiovaskulare.
Ata zhvilluan një algoritëm plotësisht të automatizuar të aktivizuar me AI të quajtur QUARTZ (ose Analizë sasiore e topologjisë dhe madhësisë së enëve të retinës) për të parashikuar shëndetin kardiovaskular dhe vdekjen përmes imazheve të retinës.
Duke përdorur imazhe të retinës të 88,052 pjesëmarrësve të Biobank në Mbretërinë e Bashkuar të moshës 40-69 vjeç, QUARTZ fillimisht shikoi në mënyrë specifike gjerësinë, zonën e enëve dhe shkallën e rrotullimit (ose lakimit) të arteriolave dhe venulave në retinë për të zhvilluar modele parashikimi për goditje në tru, sulm në zemër dhe vdekje nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut.
Ata më pas e aplikuan këtë model në imazhet e retinës së 7,411 pjesëmarrësve të moshës 48-92 vjeç nga një studim i dytë nga Investigimi Evropian për Kancerin (EPIC)-Norfolk.
Shëndeti i të gjithë pjesëmarrësve u gjurmua për një mesatare prej 7 deri në 9 vjet, gjatë kësja kohe pati 327 vdekje nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut në mesin e 64,144 pjesëmarrësve të Biobank në Mbretërinë e Bashkuar dhe 201 vdekje nga qarkullimi i gjakut midis 5,862 pjesëmarrësve EPIC-Norfolk.
Këto modele parashikuese, të bazuara në moshën, duhanpirjen, historinë mjekësore dhe vaskulaturën e retinës, kapën midis gjysmës dhe dy të tretave të vdekjeve nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut tek ata më të rrezikuar.
Rezultatet e QUARTZ u krahasuan me kornizën Framingham Risk Scores, një mjet që aktualisht përdoret gjerësisht për të parashikuar rrezikun e sëmundjeve të zemrës, bazuar në të dhënat shëndetësore.
QUARTZ parashikoi rreth 5 për qind më shumë raste të goditjes në tru te burrat e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar dhe 8 për qind më shumë raste te gratë e Biobank në Mbretërinë e Bashkuar sesa kuadri i Framingham.
Krahasuar me Framingham, ai parashikoi gjithashtu rreth 3 për qind më shumë raste midis burrave EPIC-Norfolk që ishin më të rrezikuar, por gati 2 për qind më pak raste midis grave EPIC-Norfolk.
Framingham, kapi më shumë raste të sulmeve në zemër në mesin e atyre që janë më të rrezikuar.
Tek meshkujt, gjerësia arteriolare dhe venulare, tortuoziteti dhe variacioni i gjerësisë dolën si parashikues të rëndësishëm të vdekjes nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut.
Tek gratë, zona dhe gjerësia arteriolare dhe venulare dhe tortuoziteti venular dhe variacioni i gjerësisë kontribuan në parashikimin e rrezikut.