Arbri Bogdani, në një intervistë për emisionin “Abc-ja e mëngjesit” rrëfeu se është një fans i flaktë i Noizy-t. Pavarësisht faktit se ndodhet në një karrige me rrota, kjo s’e ka penguar atë ta ndjekë live atë nëpër koncerte. Arbri mori pjesë në “Alpha Show” që reperi i njohur mbajti në verë.
Për më tepër, ai tërhoqi vëmendjen e reperit pasi ndau një video ku shihej Arbri duke ndjekur live koncertin në Tiranë. Asokohe, Noizy premtoi se do të ketë një vend të veçantë për personat me aftësi të kufizuara kur të mbahet koncerti vitin e ardhshëm. Por, Arbri mori një tjetër surprizë nga reperi.
Teksa ndodhej në studion e “Abc-së së mëngjesit”, në ekran u shfaq një video mesazh nga reperi për të.
“Arbër, si je vëlla! Uroj të jesh mirë. Këtë video e bëj për ty, për të treguar se kam shumë dashuri. Të falenderoj që ekziston. Nuk të kisha njohur por me anë të postimeve dhe tags pas koncertit, arrita të njoh energjinë tënde teksa performoje me mua dhe Dudën. Do të doja të të bëj një dhuratë sadopak të vogël.
Në çdo koncert të Alpha-s nga sot do të kesh biletën falas dhe një vend apostafat, special vetëm për ty. Uroj të ta bëjë Zoti ditën një mijë dhe të kesh mbarësi bashkë me familjen tënde. Të dua shumë vëlla, trego kujdes për veten tënde.“, u shpreh reperi gjatë mesazhit për të riun.