Zbatim i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm për një Shqipëri më të mirë
Javët kulturore ndërkombëtare kanë mbërritur në pikën e tyre kulmore. Kombet e Bashkuara kanë nisur javën e tyre me fokusin te paqja, siguria, të drejtat e njeriut dhe zhvillimi duke mbrojtur mjedisin. Objektivat janë shoqëruar me një plan shumë vjeçar pune, e disa prej tyre, do të shfaqen për publikun gjatë javës së Kombeve të Bashkuara e cila ka nisur sot për të vazhduar deri në datën 30 tetor.
Ky aktivitet nisi me projektin “We the Peoples” në Tiranë, për të pasuar me dhjetëra aktivitete në Durrës, Pukë e Përmet.
“Nuk ka kohë për të humbur!” deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së në Sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme. Aq më pak, ka kohë për Shqipërinë, si një vend në zhvillim që po mbështetet nga OKB për arritjen e OZHQ-ve, duke i parë ato si një marrëveshje të re globale për t`u siguruar që fokusi dhe energjia të jenë te njerëzit.
Synimi kryesor i nismës është zhdukja e varfërisë në të gjitha format, në të gjithë vendin. Jo më kot, rrota shumëngjyrëshe që përbën logon e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të Kombeve të Bashkuara nis me mesazhin e kuq “Pa varfëri” për të mos pasur deri në 2030-tën askënd që jeton me më pak se 1.25 Dollarë në ditë. Logo-ja shumëngjyrëshe “rrotullohet” te ngjyra jeshile, ajo e shëndetit që parashikon masa konkrete për të gjitha moshat, për më pak vdekshmëri të parakohshme, më shumë akses në të gjitha shërbimet e shëndetit.
Një tjetër pikë e rëndësishme është sigurimi i arsimit jo vetëm arsim bazik për të gjithë, por edhe arsim të kualifikuar për të nxjerrë në tregun e punës të rinj që synojnë punësim të denjë në të gjitha nivelet. Për më tepër, ky objektiv synon arritjen e barazisë gjinore dhe fuqizimin e të gjitha grave dhe vajzave. Nga dhuna, te shëndeti seksual riprodhues, apo e drejta për burime të barabarta ekonomike, janë vetëm disa nga synimet e objektivit për ti dhënë fund të gjitha formave të diskriminimit.
Një objektiv tjetër për tu arritur deri në vitin 2030, është dhe pasja e ujit të pijshëm, cilësia, efikasiteti në përdorim apo sigurim të ujërave të ëmbla dhe trajtim të ujërave të zeza.Energjia e përballueshme e pastër, është një tjetër pikë që merr peshë të jashtëzakonshme në kohën që po jetojmë. Në kohën kur kriza energjetike ka dhënë sinjale të forta, ky objektiv synon që pavarësisht rrethanave të bëhet maksimumi që të sigurohet furnizimi me energji me kosto të përballueshme, të besueshme, të qëndrueshme dhe moderne për të gjithë.
Pjesë e nismës është dhe një punë dinjitoze që shoqërohet me rritje ekonomike. Industria, novacioni dhe zhvillimi i infrastrukturës që synon mirëqenien njerëzore. Ky objektiv ka synim paralel edhe të nxisë zhvillimin e teknologjive vendase, e aksesin ndaj informacionit.
Zvogëlimi i pabarazive është një tjetër objektiv i rëndësishëm i cili synon shtresën më vulnerabël të shoqërisë, ata me të ardhura të ulëta, me synim fuqizimin e tyre jo vetëm ekonomik por edhe rolin e tyre në vendimmarrje. Gjithashtu pasja qyteteve të sigurta, gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme. Kjo arrihet duke siguruar strehë e shërbime bazë edhe për shtresat më të varfra.
Konsumi dhe prodhimi i përgjegjshëm synon sigurimin e modeleve të qëndrueshme të konsumit dhe prodhimit. Kjo përmes zgjidhjeve inovative, zvogëlimit të nevojës për energji, duke edukuar konsumatorët për këto përfitime.Një tjetër pikësynim është dhe marrja e masave të nevojshme për të luftuar ndryshimet e klimës dhe ndikimet e tij, duke vijuar me jetën në ujë e atë në tokë. Asgjë nga këto nuk do të arrihej pa paqe, drejtësi dhe institucione të forta. Promovimi i shoqërive paqësore dhe gjithëpërfshirëse për zhvillim të qëndrueshëm, ofrimi i aksesit në drejtësi për të gjithë dhe ndërtimi i institucioneve efektive, të përgjegjshme dhe gjithëpërfshirëse në të gjitha nivelet. Gjithashtu e rëndësishme është dhe partneriteti për objektivat, i cili i dedikohet rëndësisë së stabilitetit ekonomik, dhe nevojës për të mobilizuar burimet financiare për vendet në zhvillim nga burimet ndërkombëtare.
Të gjitha këto objektiva synojnë të transformojë botë tonë. Janë thirrje për veprim për t’i dhënë fund varfërisë dhe pabarazisë, për të mbrojtur planetin dhe për të siguruar që të gjithë njerëzit të gëzojnë shëndet, drejtësi dhe prosperitet.