Barcelona doli e mposhtur në El Clasicon me Real Madrid teksa pësuan tre gola që bën të pavlefshëm realizimin e Ferran Torres. Pas sfidës, trajneri Xavi Hernandez u shfaq i dëshpëruar ndërsa theksoi se skuadra e tij ndryshe nga madrilenët, nuk i shfrytëzoi rastet. Xavi shtoi se nuk e kënaq asgjë nga ndeshja e luajtur në Bernabeu përballë Realit.
“Dalim duarbosh nga Bernabeu, nuk shfrytëzuam rastet tona ndryshe nga ajo që bëri Real Madrid. Me një humbje 3-1, unë nuk kam asgjë për të qenë i lumtur. Luajtëm një ndeshje të mirë dhe mund të barazonim, i patëm shanset, por Realin nuk mund ta falësh në asnjë moment pasi ndëshkohesh. Tani skuadra duhet të marrë masa dhe të ndryshojë paraqitje, duhet ta bëjë diçka të tillë duke nisur nga ndeshja e radhës me Villarealin.
Besoj se në sfidën ndaj Real Madrid nuk ka ndikuar aspak ndeshja me Interin, megjithatë kur humbet në Madrid të gjithë nisin dhe kërkojnë të gjejnë arsyen e disfatës. Unë mendoj se duhet të tregohemi më agresivë në fushë, megjithatë nëse më duhet të gjej një aspekt pozitiv është impakti i atyre që u futen nga stoli. Ansu Fati dhe Ferra Torres bënë mirë”, u shpreh Xavi.