Gazetari dhe moderatori i njohur Blendi Fevziu dha pak ditë më parë lajmin se pranë Autoritetit të Dosjeve gjendej dosje për ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova. Nisur nga kërkesat e shumta, Fevziu ka publikuar një video nga leximi që u ka bërë materialeve.

“Meqë shumë vetë më kanë pyetur. Kjo është dosja që Sigurimi i Shtetit ka mbajtur për Ibrahim Rugovën që në vitin 1970. Gjendet e deklasifikuar në Autoritetin e Dosjeve”, shkruan moderatori mbi videon e shpërndarë.

Dosja e përgatitur nga spiunët e ish-Sigurimit famëkeq të Shtetit përmbante “informata” dhe një “raport survejimi” për presidentin e parë të Republikës së Pavarur të Kosovës. Rugova njihej me pseudonimin “Zdrukthi” nga operativët e ish-Sigurimit.