Tiranë, 13 tetor 2022 – Pandemia e COVID-19 si një krizë madhore shëndetësore dhe emergjencat e tjera së fundmi treguan se askush nuk është kurrë plotësisht i përgatitur. Kjo është edhe arsyeja se pse një nga mësimet kryesore që kemi nxjerrë për përgatitjen dhe përgjigjen ndaj emergjencave shëndetësore është të vijojmë së forcuari aftësitë tona të gatishmërisë të përballjes me emergjencat, për t’iu përgjigjur në mënyrë efektive pikërisht atëherë kur ato ndodhin.

Trajnimi 3-ditor nën-rajonal i OBSH-së “Simulation Exercise Management Course” që u zhvillua në Tiranë synoi përmirësimin e aftësive të autoriteteve shëndetësore në këtë fushë. I organizuar nga OBSH-ja me mbështetjen bujare financiare nga Projekti i BE-së, “EU DG NEAR për Fuqizimin e Qëndrueshmërisë së Sistemeve Shëndetësore në Ballkanin Perëndimor,” trajnimi kishte për qëllim prezantimin e metodologjisë së OBSH-së për planifikimin dhe menaxhimin e ushtrimeve simuluese.

Për gatishmërinë ndaj emergjencave, të cilat duhet të mbështeten nga nisma, financime, partneritete dhe angazhim politik në të gjitha nivelet, është thelbësore që palët e interesuara kombëtare të ndërgjegjësohen për të gjitha rreziqet dhe kërcënimet e mundshme.
Në zbatim të treguesve dhe dokumenteve udhëzuese të OBSH-së, ky trajnim gjithëpërfshirës i menaxhimit të simulimit (SimEx) u ndoq nga 35 pjesëmarrës të përfshirë në aktivitete kombëtare të gatishmërisë emergjente nga Ballkani Perëndimor, Moldavia, si dhe Ukraina.
Rëndësia e këtyre SimEx-eve është vënë në dukje edhe më herët nga shumë organizata dhe përfaqësues të sektorëve të ndryshëm, si mjete të rëndësishme mësimore dhe metoda efektive për të identifikuar praktikat më të mira, sfidat dhe mësimet kryesore për përmirësimin e aftësive reaguese ndaj emergjencave.

Në fjalën e saj në seancën hapëse të aktivitetit, Znj. Ketrin Zeno, Drejtoreshë e Shëndetit Publik në Ministrinë e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale të Shqipërisë, tha se, “Është e rëndësishme të theksohet se gatishmëria për emergjencat është një proces i vazhdueshëm në të cilin veprimi, financimi , partneritetet dhe angazhimi politik në të gjitha nivelet duhet të jenë të qëndrueshme.” Ai mbështetet në të gjitha palët e interesuara që punojnë së bashku në mënyrë efektive për të planifikuar, investuar dhe zbatuar veprime prioritare, tha më tej ajo.

SimEx-et janë identifikuar si komponentë kyç në vlerësimin e kapaciteteve bazë në kuadër të kuadrit të monitorimit dhe vlerësimit të IHR-së pas vitit 2016 (IHR MEF) dhe janë një komponent kyç i një programi të menaxhimit të emergjencave.Duke komentuar rolin e ushtrimeve simuluese në përgatitjen dhe përgjigjen ndaj urgjencave të shëndetit publik, Dr Abebayehu Assefa Mengistu, Koordinator për Qendrën Ballkanike të Emergjencave Shëndetësore të OBSH-së shpjegoi se në mënyrë që ushtrimet e menaxhimit të simulimeve të kontribuojnë në zhvillimin e aftësive të gatishmërisë emergjente, ato duhet të institucionalizohen dhe të kryhen në një bazë të rregullt me një strategji të qartë udhëzuese.

“Ne e quajmë këtë një program të menaxhimit të ushtrimeve simuluese,” shtoi më tej ai, duke theksuar se, “ne shpresojmë që ky aktivitet të ofrojë një mundësi për të mësuar se si të zhvillojmë, zbatojmë dhe vlerësojmë SimEx-et, si dhe të diskutojmë mënyrat për mirëmbajtjen e programeve të menaxhimit të SimEx-eve në kontekstet specifike të pjesëmarrësve në trajnim.”
Pjesëmarrësit në seminar u familjarizuan me udhëzimet dhe mjetet e OBSH-së për menaxhimin e ushtrimeve simuluese, si dhe u njohën me praktikat e përgatitjes së kandidatëve për mbështetjen e planifikimit, zhvillimit dhe zbatimit të këtyre llojeve të ushtrimeve në kontekstin e tyre specifik.

Trajnimi u drejtua nga ekspertë me përvojë nga Zyra Rajonale e OBSH-së për Europën, selia qendrore e OBSH-së dhe institucionet e tjera partnere, përfshirë Agjencinë e Sigurisë Shëndetësore të Mbretërisë së Bashkuar dhe ECDC-ja (Qendra Europiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve).