Prokuroria e Ferizajt në Kosovë ka zhvilluar sot një operacion të madh në zonën e Brezovicës, ku janë sekuestruar 100 vila luksoze, të cilat u përkasin politikanëve dhe biznesmenëve. Megjithatë, emrat e këtyre të fundit nuk bëhen me dije. Sekuestrimi u bë me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, pas vlerësimit të raporteve nga Drejtoria për Hetimin e Krimeve të Rënda në Prishtinë, Agjencia Kadastrale e Kosovës dhe Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës. Të gjithë ndërtimet e sekuestruara janë bërë pa leje. Këto institucione, pas inspektimit të objekteve të ndërtuara në Brezovicë, kanë vlerësuar se rreth 100 objekte janë ndërtuar në kundërshtim me Ligjin për Parkun Kombëtar “Sharri” dhe planin hapësinor këtë park. Sipas Prokurorisë, objektet janë ndërtuar duke keqpërdorur detyrën zyrtare nga të pandehurit në këtë rast, me lëshimin e lejeve ndërtimore në kundërshtim me ligjet që rregullojnë Parkun Kombëtar “Sharri”, me marrje të ryshfetit, dhënie të ryshfetit, kanë degraduar mjedisin në këtë zonë, kështu që edhe objektet janë rrjedhojë e këtyre veprave penale. Prokurori Maloku tha se të gjitha objektet e ndërtuar në zonën e dytë të Brezovicës janë sekuestruar përkohësisht. Sipas tij, në këtë zonë nuk lejohej fare ndërtimi. “Këto janë kryesisht, vikend-shtëpiza apo vila. Ka qenë edhe një hotel, edhe atë e kemi sekuestruar. Ndërkaq, objektet hoteliere gjenden në zonën e tretë [të Parkut Kombëtar ‘Sharri’] dhe në ditët në vijim do të shikojmë se çfarë do të bëjmë me to”, tha Maloku. Në total janë sekuestruar rreth 100 objekte, përfshirë 80 objekte të ndërtuara plotësisht e disa në ndërtim e sipër. Rasti gjyqësor Brezovica është iniciuar në dhjetor të vitit 2021. Deri më tani janë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla ka paralajmëruar edhe aksione tjera. “Jemi te vendosur që të zbatojmë maksimalisht ligjin dhe të gjithë shkelësit e keqpërdoruesit të vendosen para drejtësisë dhe organeve kompetente”, ka shkruar ai.