Nga Albert Nikolla/
Mjerimi në të cilën i zhyti qeveria e vitit 2005 sistemin universitar shtetëror ka qenë aq tronditës saqë jo vetëm sot vazhdojnë pasojat e tij, por do të duhet akoma shumë kohë që të dalë sistemi universitar nga qorrsokaku ku e hodhi mendësia staliniste që zbatoi parullën: “çdo ushtar është qytetar – çdo qytetar është ushtar” duke e përshtatur në universitet: “çdo student është qytetar – çdo qytetar është student”! Dyert e universiteteve u hapën katërkapakësh edhe për studentët me mesatare pesë, madje edhe persona të shtyrë në moshë u bënë prè e kësaj marrëzie dhe u fiksuan pas modës: “hajt ta kem një diplomë universitare dhe unë si gjithë populli”!
Gjithë kjo aventurë staliniste kishte si qëllim për të ecur me “hapin e Europës” (siç thonte kryeministri i asaj kohe) për të barazuar përqindjen e studentëve për njësi popullsie me universitetet europiane. Pra atë nivel përqindje që Europa e kishte arritur ne 800 vjet, kryeministri i 2005-s donte ta arrinte në 8 muaj. Ky vendim grotesk i futjes masive të njerëzve në universitet krijoi vështirësitë që hasen edhe sot. Ndaj problemet e universiteteve publike duan njëmend shumë kohë të zgjidhen dhe për këtë duhet të jemi të gjithë, pa përjashtim, të ndërgjegjshëm e vullnetmirë pa i politizuar ato. Ata që mendojnë se keto problematika zgjidhen vetëm me grevë për pagat, besoj se nuk kanë kuptuar thelbin e marrëzisë së masivizimit të hyrjes në universitet! Qasja në universitet bazuar në cilësi e larg masivizimit stalinist, do të ishte një hap i rëndësishëm që do shënjonte kthesën cilësore qoftë në stafin akademik për rritjen e cilësisë së mësimdhënjes dhe kërkimit shkencor, qoftë në rritjen e pagave. Na duhet një kapërcim kulturor ku të pranojmë se mund të kemi qytetarë shqiptarë pa diplomë universitare!