“Kornizat institucionale dhe ligjore për ofrimin e shërbimeve publike janë krijuar për të siguruar një administratë publike të orientuar drejt qytetarit. Në vitin 2021, numri i pikave të ofrimit të shërbimit me një ndalesë “one stop shops” dhe shërbimeve elektronike ka vazhduar të rritet.”

Kështu vlerëson Komisioni Europian në progres raportin e vitit 2022 për vendin tonë, duke e vënë theksin te rritja e shërbimeve të integruara në zyrat me një ndalesë dhe te rritja e shërbimeve elektronike. Sipas Komisionit Europian, është rritur gjithashtu aksesi i qytetarëve në informacionin mbi shërbimet publike.

“Në vitin 2022, qeveria vendosi në një njoftim të shkurtër mbylljen e sporteleve fizike me synimin për të ecur drejt vendosjes 100% të shërbimit online, me synimin e deklaruar për përmirësimin e ofrimit të shërbimeve dhe reduktimin e korrupsionit… Pavarësisht krizës së COVID-19, institucionet shqiptare bënë përpjekje të konsiderueshme për të ruajtur një zbatim të mirë të strategjisë së reformës së administratës publike. Është arritur progres në monitorimin e orientuar drejt rezultateve, duke përfshirë analizën e performancës.”