Ka 7 vite që punon nga shtëpia. Valbonës i duhet vetëm një laptop dhe mund të punojë në çdo kompani në botë.
“Punon kur të duash, mund të punosh natën, të zgjohesh herët në mëngjes, kur flasim për financat, jetojmë në Shqipëri por kemi akses te klientë të huaj dhe kanë një tjetër standard.
Zhvillimi i web, mund të shkojnë të paktën nga 1000 euro, sa më shumë klientë aq më shumë të ardhura”- tha Valbona Brahaj, specialiste marketingu.
Ka punuar në call centre, si Software Development me kohë të plotë, por asnjë nga këto nuk i siguroi të ardhurat që fiton nga puna online.
Jo vetëm Valbona por dhe shumë të rinj, po preferojnë të investojnë studimet e tyre në fushën e teknologjisë.
“Po ti referohemi 10 vjeçarit të ardhshëm, gjithmonë janë në krye pozicionet që kanë të bëjnë me pjesën e zhvillimeve programimeve, një trend ka dhe pjesa e specialistëve dhe ekspertëve të sigurisë kibernetike”- tha Eranda Ymerali, eksperte punësimi.
Ekspertët e punësimit, thonë se pandemia, ndryshoi preferencat në tregun e punës edhe përsa i përket të ardhurave.
“90% e kërkesave janë për IT. Ka një lëvizje brenda tregut të lartë, ka kërkesa si për Shqipëri dhe jashtë. Duke qenë se ka kërkesa dhe pagesat janë konkurruese. Mosha e të punësuarve është realivisht e re. Variojnë nga 1500 euro deri në 10-15 mijë euro”- shtoi ajo.
Më pak punë dhe më shumë para, e ardhmja i përket teknologjisë. Të rinjtë, po shfrytëzojnë mundësitë. Sipas të dhënave të INSTAT në Shqipëri, sektori bankar është më i paguari.