Berisha e Meta u bënë sërish bashkë për të mundur Ramën, asgjë e re kjo. Dhe si një asgjë e re, krejtësisht e provuar, madje e konsumuar, nuk ka gjasë të sjellë ndonjë ndryshim kursi. Elektorati shqiptar i ka tashmë të qarta gjërat, prej vitesh, duke e sqaruar me votë zgjedhje pas zgjedhjesh, se si e gjykon këtë treshe.

Avantazhi që ka Rama ndaj tyre, në daç bashkë e në daç tek e tek, është i paluhatshëm. Ata nuk duan të pranojnë këtë, ndaj, kush thotë se janë ujqër politikë, thotë një idiotësi. Berisha e Meta janë ujqër në kuptim të egrshanisë, mosskrupulozitetit, ujqërisë më saktë, por aspak urtësisë, asaj inteligjence që mund t’u japë sukses.

As e kanë patur e as s’e kanë, ndaj dhe janë katastrofa kulturore në politikë, që të dy. Shija që ata vijojnë të lënë në protagonizmin e tyre politik, është një banalitet i gjallë, që fyen inteligjencën dhe sqimën njerëzore.

Rama është një zhgënjim i madh në qeverisje, por vijon të ketë atë forcë imponuese të një formati me shumë avantazhe ndaj kësaj dysheje, sidomos kulturore dhe karakteriale, sigurisht dhe politike në aspekt të inteligjencës, të cilën elektorati ia ka lexuar po ashtu qartë. Dhe ajo që dyshja Berisha-Meta besojnë, se me akuza do e dërmojnë Ramën, është budallallëku më i madh politik që atyre vijon të mos u shqitet nga koka.

Ato do vlenin, por që në fakt dhe atëherë nuk kanë vlejtur, nëse do ishin fillimet e shfaqjes së Ramës në gara politike, por pas 20 e kusur vitesh gara(dhe teste gjithashtu) elektorale, është e kotë të shpresosh te to. Elektorati shqiptar do ide, jo akuza. Kush nuk e kupton këtë e nuk ndryshon kurs, do jetë absolutisht i humbur.

Dhe kur vijmë te ky rregull, sërish s’ka shpresë për dyshen Berisha-Meta. Në shumëçka, ata vetëm njerëz idesh nuk janë. Varfëria e tyre monumentale në politikë vjen pikërisht nga kjo. Idetë, si konotacion fisnik në politikë, nuk lidhen asgjëkundi me emrat e tyre. Thërrasin për protesta, vërshojnë në akuza, pasi s’kanë agjë tjetër për t’ju imponuar elektoratit. Deri aty e kanë limitin.

Si përfundim, Ramën e mund vetëm Rama!