Reja e ka kërkuar prej kohësh që ta shoh Armando Brojën te Napoli. Megjithatë trajneri i Shqipërisë, është shprehur së fundmi për mediat italiane se sulmuesi shqiptar nuk është i përshtatshëm, të paktën jo për Napolin. Këtë e ka bazuar në faktin se Broja është individual në lojën e tij dhe te Napoli ka një përplasje me nigerianin Victor Osimhen.
“Armando Brojën nuk e shikoj te Napoli, është shumë individual, më duket si Osimhen. Me Raspadorin besoj se Spaleti ka gjetur formacionin ideal”, u shpreh Reja. Armando Broja po aktivizohet thuajse në çdo ndeshje te Chelsea, duke marrë 15 minutat e fundit të takimit. Sigurisht që mungesa e golave të shënuara ka lënë gjurmë te ky futbollist dhe kjo u pa qartë me Shqipërinë, nuk është po aq fenomal sa më herët për nuhatjen me portën kundërshtare. Por edhe në ato pak minuta që luan te Chelsea, shihet qartë një Armando Broja shumë më ndryshe sesa nga koha e Southampton apo e Kombëtares. Një moment që e dëshmon fare mirë nga ndeshja me Milanin është ajo e minutës së 85. Broja futet bukur në qendër dhe stadiumi oshëtin duke parë hapësirën, teksa pritej një tentativë dhe avancimi më tej drejt portës. Megjithatë sulmuesi shqiptar nuk dëshiron të rrezikojë as në një ndeshje të mbyllur me rezultatin 3-0, duke ngritur menjëherë kokën lart për të parë shokun e ekipit dhe për ta pasuar topin. Nëse do të ishte ende te Southampton apo te Shqipëria, ky aksion do të kishte një fund tjetër, edhe nëse rezultati do të ishte 0-0.