Një ditë më parë, fillimisht Marca, e më pas shumë të përditshme sportive, trazuan edhe një herë tregun e transferimeve me çështjen “Mbappe”. Ndryshe nga se pritej, ky diskutim nuk është mbyllur me rinovimin e kontratës që Mbappe bëri pak muaj më parë me PSG, përkundrazi. Pavarësisht zërave, Mbappe në fushë vijon të jetë përcaktues për ekipin francez teksa përballë Benfica-s realizoi golin e parë në minutën e 40-të duke u treguar i saktë nga pika e bardhë e penalltisë.

Ky ishte goli i tij i 31-të në Evropë për PSG duke u shndërruar në golashënuesin më të mirë për ekipin francez. Luis Campos, drejtori sportiv i PSG, konfirmoi se këto janë thjesht zëra.

“Këto janë zëra që i dëgjojmë çdo ditë, nuk mund të dal këtu çdo herë për të përgënjeshtruar lajme të tilla. Këtë herë është ndryshe, pasi këto zëra dolën përpara një ndeshje shumë të rëndësishme, dhe kjo është e rëndë. Unë jam me Mbappe çdo ditë, ai kurrë nuk më ka kërkuar të largohet në janar. Isha dhe me presidentit, as atij nuk i ka kërkuar diçka të tillë”, theksoi ndër të tjera drejtori sportiv i PSG.

Këto deklarata nuk kanë ndryshuar aspak qëndrimin e mediave, Marca edhe këtë të mërkurë kishte të njëjtin qasje, madje duke zbuluar se drejtuesit e PSG bën gjithçka që Mbappe të mos transferohej te Real Madrid, shtynë “bomberin” francez të transferohej te Liverpool. “Pika e thyerjes”, ishte titulli i përzgjedhur nga L’Equipe në faqen e parë, edhe e përditshmja franceze ka të njëjtin version si mediat e tjera, Mbappe kërkon të largohet nga PSG.