Kombëtarja shqiptare ka mbyllur seancën e djeshme stërvitore në Durrës dhe pasdite ka udhëtuar drejt Arabisë Saudite, teksa nesër në orën 16:30 do të zhvillojë miqësoren e përcaktuar.
Kujtojmë që ndeshja do të luhet me dyer të mbyllura dhe nuk do të transmetohet në asnjë kanal, kusht ky i federatës së Arabisë Saudite.
Ndërkohë, tekniku Edi Reja ka provuar vendosje të ndryshme taktike me lojtarët në këtë seancë, teksa ekipi do të ketë edhe një stërvitje në stadiumin e ndeshjes sot pasdite.
Me grupin është bashkuar edhe Arbnor Muçolli, teksa pesë nga futbollistët e ftuar për këtë ndeshje do të udhëtojnë direkt në Abu Dabi.
Bëhet fjalë për Ardit Tolin, Mario Mitajn, Bekim Balajn, Elhan Kastratin dhe Gentian Selmanin. Ndërsa pjesa tjetër ka mbërritur dje në orët e vona në Emiratet e Bashkuara Arabe.
FORMACIONI – Deri tani në tri seancat e zhvilluara në Shqipëri, Edi Reja nuk ka provuar asnjë formacion se si do të luajë Kombëtarja nesër dhe çdo gjë do të vendoset sot në seancën e fundit përpara ndeshjes, ku do të bashkohet edhe pjesa tjetër e lojtarëve. Është e vështirë që të krijosh një ide me kaq pak kohë përgatitje.
Por me futbollistët e grumbulluar nga italiani mund të rreshtojmë vetëm një formacion hipotetik se si mund të zbresë në fushë ekipi i Edi Rejës, i cili përbëhet më së shumti nga lojtarë të Superiores.
Në portë i avantazhuar është Elhan Kastrati, që po luan rregullisht, ndërkohë në mbrojtje Gurishta, Bitri, Janku, Turkaj dhe Mitaj ose Esin Hakaj i Vllaznisë.
Në mesfushë duke iu referuar lojtarëve që janë në grumbullim, mund të kemi Kallakun, Tolin, dhe Rrapajn ose Deliun.
Sulmi mund të formohet nga Cikalleshi dhe Balaj dhe minuta padyshim që mund të marrin edhe Xhixha me Skukën. Kështu kjo miqësore do të jetë një shans për lojtarët e kampionatit vendës, që mund t’i mbushin syrin Rejës për t’i grumbulluar edhe në vazhdim.