Tre figurat kryesore të politikës shqiptare ndër vite, kryeministri Edi Rama, ish-kryeministri Sali Berisha dhe kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, duket se po marrin shembullin e politikanëve perëndimorë, duke gjetur një mënyrë shumë efikase për t’u afruar me të rinjtë, nëpërmjet aplikacionit më trend të kohës, TIK TOK.

Kryeministri Rama i cili është aktiv në këtë rrjet social që prej vitit 2021, ka rreth 54 mijë ndjekës dhe më shumë se 360 mijë pëlqime.

Ilir Meta iu bashkua këtij aplikacioni menjëherë sapo përfundoi mandatin e Presidentit, duke krijuar llogarinë e tij me emrin e Partisë së Lirisë, por dukshëm kjo gjetje nuk ka rezultuar e suksesshme pasi ish-kreu i shtetit numëron më pak se 1000 ndjekës dhe vetëm 3900 pëlqime.

Sali Berisha i është bashkuar Tik Tok-ut vetëm ditët e fundit, duke e cilësuar si një mundësi të artë për t’u afruar me të rinjtë, në një kohë kur teknologjia po ecën me ritme galopante.

Ajo çka vihet re në profilin e “veteranëve” të politikës shqiptare, është se edhe në aplikacionin Tik Tok, kryeministri Rama ka zgjedhur të jetë ndryshe nga dy kundërshtarët e tij. Në profilin e tij gjen një miksim të përmbajtjes së videove që publikon, ndërsa Berisha dhe Meta janë fokusuar vetëm tek çështjet politike.