Nga Alba Malltezi/
Ish-kryeministri non grata i Shqipërisë, Sali Berisha, po vesh lëkurën e qingjit. Po zbut retorikën (nuk dimë se sa do ta mbajë gojën), po shtrin dorën e bashkëpunimit (si përherë me qëllimin sa të fitojë atë që do) dhe më e bukura, u shfaq sot me sensibilizminin për gratë dhe nënat për Tetorin Rozë. Por këtu, lëkura e qingjit që po hedh në kurriz, i rri tepër e vogël, për të që tashmë është bërë një ujk nga ata që sillen vërdallë nëpër stane e hanë bagëti në 30 vite mjegull e tranzicion pa e bezdisur njeri.
Sali Berisha e shkeli me Tetorin Rozë për këdo që kujton Onkologjikun deri në ditën e fundit të “mbretërimit” të tij në pushtet: Lagështirë, varfëri, papastërti, kaos, mungesë mjekimesh dhe medikamentesh. Gratë dhe vajzat që arrinin herë me miq, herë me pagesë, herë me thirrjet dëshpëruese në media, të merrnin ose jo kimioterapinë, të ulura në disa krevatë me susta të ndryshkura dhe me dyshekë si të ishin aty që nga Lufta e Dytë Botërore, si dëshmi e lënies pas dore, e injorimit ose më keq, e shpërdorimit të cdo fondi që hynte në atë spital.
Një reportazh i Shqiptarja.com në janar të 2012, dëshmonte me pamje se si kati i parë ishte shndërruar në një banjo publike ku familjarë e pacientë detyroheshin të përdornin nënshkallët për nevojat e tyre në ditët më të tmerrshme kur një njeri përballet me një sëmundje po aq të tmerrshme. Spitalet shqiptare kanë qenë përherë një mjerim, por si në mbretërimin e Sali Berishës, ish-mjekut që sot kërkon sensibilizim, rrallë se mund të përsëriten ato skena që qytetarët i përjetonin e gazetarët i dëshmonin.
Me fjongon rozë në xhaketë, ish kryeministri non grata Sali Berisha, po u shtrin dorën shqiptarëve që t’i japin shanse “mbretërimi” përsëri. Ka nga ata që e besojnë, sepse nuk kanë informacionin e duhur për të, ose urrejnë ata që e kundërshtojnë; ka nga ata që iu leverdis ta besojnë, ta ndjekin e ta votojnë, pasi Sali Berisha ua linte të gjithë lirinë që si onkologjikun, ashtu dhe gjithë Shqipërinë, ta shndërronin në një krevat me susta të ndryshkura e dyshekë të njollosur dhe katet e para në WC publike. Shqipëria e gjitha ishte e leckosur, vec shtëpive dhe vilave të tyre që zmadhoheshin përditë.