Eni Çobani, ndërmjetësja e rubrikës “Shihemi në Gjyq”, thotë se Serjani, i cili ndodhet përballë Etlevës në “E diela shqiptare” në Tv Klan, në fakt e ka një shtëpi. Kjo do të thotë se nuk është e nevojshme që ai të qëndrojë në shtëpinë e kushërirës së tij, me të cilën akuzohet nga fshati se ka marrëdhënie intime.
Sigurisht, ky mendim vjen nga fakti që në të vërtetë nuk kanë lidhje gjaku sepse Etleva është e birësuar dhe qëndrimi i Serjanit në shtëpinë e saj, kur bashkëshortin e ka në Itali, nuk shihet me sy të mirë. Serjani thotë se nuk ka ku të shkojë sepse e kanë përjashtuar nga familja bujqësore, ndërkohë Eni Çobani shpjegon se kjo nuk mund të ndodhë.
Publiku voton në favor të Etlevës që kërkon që Serjani të largohet nga shtëpia e saj sepse kjo i ka ngjitur një njollë nënës së katër fëmijëve.
Ardit Gjebrea: Seri, shumica e publikut mendon që ti nuk duhet të flesh më në kuzhinë.
Serjan: Ka të drejtën e vet ajo, me familjen e vet. Po unë ku të shkoj? Babai s’më qas në shtëpi, ja ju i shikoni dokumentat vetë aty, falsifikimet.
Eni Çobani: Jo, që janë falsifikime nuk të takon ty ta thuash se janë organet kompetente. Ne kemi një kontratë shit-blerjeje Ardit, prandaj i bëra thirrje edhe noterit. Në qoftë se kjo kontratë shitblerjeje është në keqbesim sikundër thotë zotëria, që firmat nuk janë as të vëllezërve, as të babait, as të gjyshes, unë i them zoti Lirim kjo kontratë pasi të komunikohet me ju, do të shkojë pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lushnje dhe do ta shikojë prokuroria se si është e mundur që ju përjashtoni një nga anëtarët e familjes bujqësore dhe nuk e vini në pjesën e kësaj kontrate shitblerjeje.
Që nga momenti që ky djalë është përjashtuar, kjo kontratë do të prishet dhe do të dalë absolutisht e pavlefshme. Mua më vjen keq që zonja Xhemile ka dhënë para, por mund të ketë edhe zgjidhje të tjera që t’i jepni vlerën të cilën ia keni mohuar për kaq vite zotërisë dhe zotëria të ketë një banesë e mos të flejë më në kuzhinën e zonjës dhe t’i apstrojmë edhe njollën e zezë të jetës zonjës Etleva.
Etleva: Zonja Eni, kërkoj të më hiqet njolla.
Eni Çobani: Kjo është një detyrë shumë e vështirë se deri te ligji e bëj, që të heq njolla s’e kam bërë ndonjëherë, megjithatë të falënderoj për besimin, uroj dhe besoj që qyteti juaj dhe fshati ta besojë këtë që thatë, megjithatë kjo ngelet pjesë e ndërgjegjes së tyre dhe tuajës. Në qoftë se ke këtë zemër të madhe, ke pritur një hallexhi unë të duartrokas dhe të them faleminderit që ke bërë një veprim të tillë.
Ardit Gjebrea: Ndërsa unë të them: kujdes peshqirin./tvklan.al