Silvio Berluskoni, ish-pronar i Milanit dhe sot i Monzas, sot pasdite mund të rikthehet për herë të parë në “San Siro” si kundërshtar.
Por jo si rival. Në fund të fundit, si mund të harrohen mbi tridhjetë vite suksese? Në tri dekada menaxhim, duke përfshirë njëzet si President, Berluskoni ka regjistruar shumë fitore dhe goditje merkatoje për Milanin.
Gjithçka e kombinuar, me disa dalje “huq” dhe batuta të papërshtatshme. Para së gjithash, megjithatë, qëndrojnë trofetë, plot 29. Nga titulli i parë, i fituar në 1988 deri te suksesi i fundit, Superkupa e Italisë 2016 në Doha, e fituar me penallti kundër Juventusit, historia e Milanit dhe ajo e Kavalierit janë ndërthurur, si në një album familjar gjigant.
HISTORI – Nuk është e sigurt që Berluskoni sot në 18:00 do të jetë i pranishëm në “San Siro” për Milan-Monza (kjo do të varet shumë edhe nga angazhimet politike). Nëse ndodh, do të ishte hera e parë. E shtuna e 22 tetorit është data që Berluskoni dhe krahu i tij i djathtë, Adriano Galiani, kanë pritur prej katër vitesh, ose që kur 86-vjeçari mori drejtimin e Monzës. Është një rreth që mbyllet, ose ndoshta hapja e një kapitulli të ri. Berluskoni zbarkoi në “Milanello”, shtabi i përgjithshëm i Milanit, për herë të parë më 1 mars 1986, duke njoftuar nënshkrimin e tij të parë për sezonin e ardhshëm: i pari i përcaktuar tërësisht nga vendimet e tij, duke filluar që nga trajneri. Goditja e parë ishte Dario Boneti, mbrojtës i Romës. Megjithatë, herët e para të Berluskonit me Milanin, nuk kanë qenë të gjitha pozitive. Derbi i parë, më 6 prill 1986, u humb për shkak të golit të Xhuzepe Minaudos.
RIVALË DHE TRAJNERË – Presidenti Berlusconi, ka marrë shumë disa herë kënaqësi ndaj rivalëve të qytetit, veçanërisht me derbin e Ligës së Kampioneve. Finalja e tij e parë e Kupës Evropiane përfundoi në mënyrën më të mirë: 4-0 ndaj Steauas së Bukureshti dhe eksod milanistësh drejt Barcelonës. Me trajnerin e tij të parë, Nils Liedholm nuk shkoi mirë. Por duhet thënë se nuk e kishte zgjedhur vetë siç bëri me Arrigo Sakin. Pjesa tjetër është histori dhe shumë trofe.
Pas Sakit, zgjodhi, Fabio Kapelon, i cili hapi një tjetër cikël të qëndrueshëm fitoresh. Historia e një klubi të madh, megjithatë, përbëhet gjithashtu nga hapa të gabuar dhe shfajësimet e Berlusconit në Milano nuk kanë munguar. Nga Alberto Zakeroni te Masimiliano Alegri, nga Oskar Uashington Tabarezin te i dashuri Filipo Inzagi. Deshi shumë trajnerë, por nëse do të fitohej. Në të kundërt nuk bënte kompromis.
YJET E AFRUAR – Po në lidhje me goditjet e shumta të mërkatos çfarë mund të thuhet. Nga Marco van Basten te Rikardo Kaka, duke kaluar përmes Andrij Shevçenkos, por edhe te “djemtë e këqij” të refuzuar dhe të adoptuar me sportivitet prej tij si Kevin-Princ Boateng.
Nëse nuk vendoste Berluskoni, zgjedhja i takonte Galianit, i famshëm për mënyrat e tij të joshjes së yjeve të ndryshëm. Sidoqoftë, për Berluskonin ashtu edhe për Galianin, sot do të jetë e vështirë të futen në dhomën e duhur të zhveshjes. Rreziku për të gabuar është i lartë pasi ishin zotë shtëpie dhe kthehen si mysafirë. Por kurrë si armiq.