“Sot miratojmë akt marrëveshjen e rëndësishme: Bashkia do subvencionojë me 3 vjet qera dhe do ndërtojë tre pallate për ata që preken nga projekti dhe janë të palegalizuar”
Me përfundimin e punës për Unazën e Madhe në zonën e Astirit, projekti do të vijojë në pjesën jugore të qytetit, me zgjerimin e lumit të Lanës, nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar. Në funksion të ecurisë së projektit, i cili po kryhet nga Qeveria dhe Bashkia e Tiranës, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi sot Akt Marrëveshjen Tip “Për përfitimin e trajtimit përmes fondit të banesave nga poseduesit e ndërtimeve pa leje, që preken nga ky projekt dhe nuk përfitojnë dot nga legalizimi”.
Kryebashkiaku Erion Veliaj tha se miratimi i këtij akti është shumë i rëndësishëm për të ecur përpara me punimet e Unazës së Madhe të Tiranës.
“Nuk duam të humbasim më kohë. Fakti që sot, në pak minuta, mund të shkosh nga ‘Shqiponja’, në Astir, mandej në Selitë, pastaj te Liqeni i Thatë, Kopshti Zoologjik e Botanik, për të mbërritur në Lundër e TEG, duke vazhduar sipër në Farkë te Helikopterët dhe t’i afrohesh Shkozës, është e jashtëzakonshme. Për gjeneratën tone do ishte diçka utopike, e pamundur, por ja që sot u bëka! Pra, kur njerëzit e ndajnë mendjen se do punojnë e nuk do pengojnë njëri-tjetrin, bëhet. Ky projekt i prek si të majtët, si të djathtët. Pra, nuk është gjurmë politike. Kjo punë ka filluar, që në kohë e Olldashit, ka vijuar në kohën e Haxhinastos, e pastaj të gjithë ministrat e Transportit me radhë dhe vetë projekti është bipartizan. Le ta mbarojmë! Rregulli është shumë i thjeshtë: Për të gjithë ata që i kanë pronat me letra, trajtohen nga ARRSH-ja, me shpronësim. Marrëveshja që miratojmë sot zgjidh problemin e familjeve që i kanë shtëpitë pa letra,” deklaroi kryebashkiaku.
Veliaj tha se akt marrëveshja synon bonus qeraje 3 vjet për secilën nga familjet që preket dhe trajtim me banesë falas në një nga tre pallatet e reja që do të ndërtohen nga Bashkia e Tiranës për këtë qëllim.
“Vendimi që marrim sot paguan qiranë e familjeve që preken për tre vite, si dhe përfitimin e një banese me të njëjtat metra katrorë nga bashkia. Bëhet fjalë për ata që s’kanë asnjë letër, por që është e provuar, edhe nga kryeplaku, ndërlidhësi i komunitetit, njësia administrative, nga vizita në terren, që këta njerëz jetojnë realisht aty. Nëse për një arsye apo një tjetër dikush nuk i ka bërë dokumentet, në këto kohë të vështira Bashkia e Tiranës do të jetë me ty. Ne duam që edhe projekti të ndodhë, – pra, u zgjat Lana nga Materniteti i Ri deri në Shkozë, ka dalë në dritë, është rritur vlera e pronës, është zhbllokuar komplet qarkullimi aty, – të njëjtën gjë duam të bëjmë nga Pallati me Shigjeta deri në Kashar,” shpjegoi Veliaj.
Ai tha se është i vendosur për të vijuar me projektet e domosdoshme për rritjen e Tiranës, megjithë kundërshtarët që, sidomos tani në prag të fushatës, sipas tij do të vendosen në radhë për t’i bllokuar ato.
“Që projekti do të bëhet këtë se luan topi fare! Që do të shihni të gjithë aspirantët për kandidatë për kryetarë Bashkie të Tiranës që do të dergjen përpara fadromave, as kjo nuk diskutohet fare, se ky është një film që e kemi parë. Thjesht po i paralajmëroj se do të humbasin! Do të dilni edhe më keq seç dilte tipikisht në zgjedhje partia juaj sepse njerëzit nuk janë budallenj. Mjafton të shikoni rezultatin zgjedhor tek “Astiri”, ku sa më shumë digjeshin gomat, aq më shumë humbte partia. Ky projekt është i ndershëm, është i drejtë, i jep qytetit zhbllokim, i jep paratë atij që e ka me letra shtëpinë, i jep shtëpi dhe bonus qiraje atij që e ka pa letra fare. Ndaj, ftesa për të gjithë banorët është: Tirana do të ketë një super unazë, njerëzit do të marrin shtëpi dhe qira nëse janë pa letra, njerëzit do të marrin paratë dhe shpronësimin nëse janë me letra, sipas çmimeve te tregut,” tha Veliaj.
Pak ditë më parë, Bashkia e Tiranës nënshkroi marrëveshjen me Bankën Europiane të Investimeve për projektin e banesave sociale, nga i cili do të përfitojnë dhe të gjitha familjet që preken nga projektet publike të qytetit.