“Konkurrova tek Universiteti i Arteve për të hyrë në atë universitet. Pashë fytyrat e regjisorëve. Në fakt u shtanga pak se më panë më çudi sikur jam diçka jo normale. Si përfundim nuk e fitova!”.
Për të ëndërruar dhe për të këmbëngulur në atë që besojmë nuk ka asnjë pengesë të pakalueshme pavarësisht ngjyrës, trupit apo handikapëve të ndryshme që na sfidon jeta.
Më së miri këtë mesazh na e jep Vitmiri, 21-vjeçari nga Shkodra i cili çdo ditë e jeton si të jetë e fundit pa asnjë peng.
Në brendësinë e një trupi të vogël në dukje, Vitmiri fsheh një botë të madhe ëndrrash që po i bën realitet me shumë këmbëngulje, por pavarësisht kësaj ka momente paragjykimi për fizikun e tij.
“Shpesh hasim në paragjykime jo vetëm unë por edhe personat si unë. Basim paragjykime, dyshojnë tek aftësitë tona sepse mendojnë që jemi të pavlefshëm, të paaftë por e kanë shumë gabim sepse ne jemi shumë të aftë, më të aftë se ata, mund të bëjmë shumë gjëra më mirë se ato por ne duhet të kemi besim tek vetja jonë që ti bëjmë dhe ato të besojnë tek”, thotë ai.
Në fillim, profesionistët e artit, e refuzuan teksa luftonte në rrugën e tij drejt aktrimit, por ai nuk u ndal, forcën e gjeti tek vetja dhe tek familja.
“Forcën e kam gjetur tek vetja. Padyshim edhe familja më është gjendur pranë gjithmonë, më ka mbështet gjithmonë, familja është aleati më i madh që kam. Mendova një ditë me veten time çfarë kanë të tjerët më shumë se unë, pse unë s’mund të bëj më shumë se ata, ku janë diferencat? Diferenca është thjesht i gjatë i shkurtë, pjesa e gjatësisë”, shprehet 21-vjeçari.
Gjatë gjithë ditës Vitmiri punon dhe merr kurse shtesë për t’u rritur ndërsa që nga viti 2015 ka nisur udhëtimin e tij në skenë me ëndrrën e madhe që një ditë të jetë aktor profesionist, pavarësisht paragjykimit për shkak të gjatësisë.
“Aktrimi për mua nis që në moshë 15-vjeçare në vitin 2015 kur kam pasur një shfaqje me shkollën 9-vjeçare dhe kjo shfaqje është realizuar në Itali. Është bërë një binjakëzim i saj është bërë një shfaqje teatrale. Aty e kuptova që filloi dëshira, filloi ai pasioni, filluan shkëndijat e para për t’u futur në këtë rrugë me pengesa, di të them unë dhe një rrugë shumë e bukur që shpresojmë të nxjerrin shumë benefite, shumë përfitime në të ardhmen”, tregon ai.
Në fund, mesazhi është për të gjithë ata që ende nuk e kanë gjetur forcën tek vetja dhe janë mbytur nga paragjykimi.
“Të luftojnë ditë për ditë me mish e shpirt, të besojnë tek vetja e tyre, t’i krijojnë vetes një mundësi. T’i bëjnë që të besojnë dhe ata që s’kanë besim tek ata që në mundemi. Ne jemi të aftë të bëjmë diçka, edhe ne jemi dikushi në këtë jetë”, apelon 21-vjeçari.
Pasionin për artin e ka kthyer në mburojë ndaj paragjykimit dhe me kokën lart vijon në kërkim të një roli në kinematografi.