Ashtu si Dielli që përcakton shenjën e tij gjatë rrugës së ekliptikës, edhe Toka duke bërë rrotullimin e saj për rreth 24 orë në jep shenjën e saj e cila quhet Ashendent ose Shenja Ashendente (që po lind).

Ashendenti është shenja zodiakale e cila po shfaqej (ngritej) në horizontin lindor në momentin e lindjes së njeriut (një individi) dhe zhduket në horizontin perëndimor.

Kjo shenjë e bazuar në orën e saktë të lindjes është po aq e rëndësishme sa shenja diellore, madje disa astrologë mendojnë se është edhe më e rëndësishme se Dielli. Në vende të ndryshme të botës, disa shenja duken se qëndrojnë më gjatë në horizont për shkak të këndvështrimit të rrotullimit të Tokës. Në Australi, për shembull, më shumë njerëz kanë si shenjë Ashendent Akrepin sesa në Angli, sepse Akrepi qëndron më gjatë në hemisferën jugore. Sa më gjatë të qëndrojë një shenjë në horizontin lindor aq më shumë
njerëz e kanë këtë shenjë si Ashendentin e tyre. Dy njerëz të cilët kanë të njëjtën shenjë diellore do të kenë fat të ndryshëm sepse kanë Ashendentë të ndryshëm. Nga ana tjetër, dy njerëz të cilët kanë të njëjtën shenjë diellore dhe të njëjtën shenjë Ashendent do të kenë ngjashmëri me shumë pikëpamje të jetës.

Ashendenti (apo shenja ne Ngritje) na tregon mënyrën sesi e orientojmë vetveten për të përballuar botën dhe jetën. Ai është një masë mbrojtëse. Thuhet se shenja Ashendent na tregon pamjen fizike dhe temperamentin. Nëse Dielli na jep (përfaqëson) jetën, synimet që kemi në jetë, Ashendenti plotëson kushtet (mjetet) për t’i përmbushur këto synime (qëllime). Dielli përfaqëson personalitetin tonë më të thellë, unin (veten) tonë të vërtetë, imazhin tonë që i paraqesim publikut, ndërsa Ashendenti përfaqëson mënyrën sesi na vlerësojnë të tjerët, ai tregon “brendësinë tonë”. Pra, të dy së bashku konsiderohen si shenja që plotësojnë njëra-tjetrën dhe që zbulojnë portretin tonë të brendshëm dhe të jashtëm. Shenja Ashendent, shkurtimisht shkruhet AS dhe me këtë shenjë fillon pika e shtëpisë së parë e cila vazhdon deri rreth 30° me tej, ku caktohen edhe 11 shtëpitë e tjera të horoskopit. Nëse keni lindur në Jug të ekuatorit shenja Ashendent është e kundërta e asaj që rezulton. Për shembull nëse rezulton Demi, atëherë Akrepi është Ashendenti juaj dhe kështu me rradhë.

Nëse nuk dini orën e lindjes, atëherë do të ishte e pamundur të zbuloni shenjën tuaj Ashendent. Në bazë të kësaj shenje e ardhmja mund të parashikohet më lehtë. Sa me e saktë të jetë ora e lindjes, aq me i saktë do të dalë edhe parashikimi i fatit apo karakterit. Mundësisht një person duhet ta dijë se në cilën orë ka lindur, por nuk duhet të gabojë orën më shumë se 15 – 30 minuta. Dhe nëse e dini orën e saktë me jo më shumë se 4 minuta gabim atëhere çdo gjë do të jetë tepër e saktë sepse 1 gradë e Ashendentit është e barabartë me rreth 4 minuta.