Kupa e Botës, Katar 2022 është më pak se dy javë larg teksa në eventin më të rëndësishëm futbollistik, yjet e globit do të luftojnë për lavdinë personale dhe atë kombëtare.
Emra të konfirmuar, por edhe talente të së tashmes dhe të ardhmes, do të jenë në qendër të vëmendjes për të realizuar ëndrrën e madhe, triumfin në një Kupë Bote.
Por, cilët janë lojtarët më të vlerësuar në aspektin financiar? Sipas sajtit të specializuar Transfermarkt, vendin e parë e mban Kylian Mbappe, lojtar i PSG dhe kombëtares së Francës. Sulmuesi përllogaritet të ketë një vlerë prej 160 milionë euro, ndërsa pas tij renditet braziliani i Real Madrid, Vinicius Junior. Ky i fundit është rritur ndjeshëm në sezonet e fundit dhe sipas Transfermakt, kartoni i tij kushton jo më pak se 120 milionë euro.
Ndërkohë, pas Vinicius Junior, janë plot katër futbollistë që vlerësohen me 90 milionë euro. Pedri i Spanjës dhe treshja e Anglisë, Jude Bellingham, Harry Kane dhe Phil Foden. Sakaq, po sipas Transfermarkt, kartoni i Dusan Vlahovic të Serbisë dhe Bruno Fernandes të Portugalisë vlen 85 milionë euro, ndërsa pas tyre në radhë vijnë me një vlerë prej 80 milionë euro, De Bruyne i Belgjikës, Jamal Musiala i Gjermanisë dhe Aurelien Tchouameni i Francës.
Kështu, kompletohet lista me 11 futbollistët më të shtrenjtë që do të marrin pjesë në Kupën e Botës në Katar, teksa bie në sy që tashmë Lionel Messi, Cristiano Ronaldo, por edhe Neymar, kanë humbur vlerën e tyre e dikurshme, sigurisht në aspektin financiar pasi treshja e sipërpërmendur e ka treguar se mund të vazhdojë të bëjë diferencën dhe në Botëror, prej tyre pritet gjithçka pasi “uria” për lavdinë me kombëtaren është e madhe.