Nga Artur Ajazi/
Aleatët e Partisë Demokratike, shumë shpejt do ta kuptojnë se, nuk mund të futen në fushata zgjedhore, dhe as në pazare elektorale me një parti të ndarë, të përçarë, dhe që nuk ka prej kohësh asnjë vizitor nga faktori ndërkombëtar. Sali Berisha ç’nuk po bën, të afrojë partitë e vogla, partitë tradicionale të djathta apo të qendrës djathtë apo të majtë, ashtu si ç’nuk po bën, të afrojë të persekutuarit politikë, mësuesit, pedagogët, fermerët, etj. Aleancat me Partinë Demokratike nuk vlejnë as në zgjedhjet e ardhshme vendore, por më tepër nuk vlejnë në zgjedhjet e përgjithshme.
Eshtë e sigurtë se, PD do të shkojë në vendoret dhe të përgjithshmet zgjedhje, me “dy kokë”, dhe e vetmja rrugëzgjidhje mbetet krijimi i një partie të re nga Berisha. Duka, Ndoka, Mediu, Dulja, Meta apo dhe ndokush tjetër, dihet se shkojnë tek selia e Partisë Demokratike më tepër për të testuar ç’ka mendon dhe ç’ka ka vendosur Berisha, dhe aspak për të vajtur me atë parti në zgjedhje. Do të ishte katastrofë politike dhe elektorale, në rast se partitë e vogla që i rrinë si “ogiçër” deri sot Berishës, të pranonin kandidatët e tij, vullnetin e tij, bashkimin me atë forcë politike. Kjo për faktin sepse, do të merrnini mbi vehte një kosto të madhe, si largimin nga mbështetja elektorale, politike, nga faktori ndërkombëtar, etj.
Reagimi më i fundit i DASH-it dhe zotit Eskobar, ishin sinjale të prera dhe të fuqishme për organet e reja të drejtësisë, njëherësh edhe për ata që mendojnë se “aleanca me PD e Berishës do ti japë fitore në zgjedhjet vendore dhe të përgjithshme”. Sido të jetë vendimi i gjykatës për “pronësinë” mbi Partinë Demokratike, një gjë është e sigurtë, ajo parti kurrë nuk do të ketë shansin të vijë në pushtet me klanin e konsumuar që e drejton sot. Aleancat nuk i vlejnë më atyre që i kanë zhvatur Partisë Demokratike gjithçka, postet, pushtetin politik, financiar, njerëzor, pasuror, etj.
Ata nuk mund të jenë më përfaqësuesit e asaj partie. Ata nuk duhet të jenë më predikuesit e “lirisë, demokracisë, dhe vlerave perëndimore”, pasi ata janë shtypësit dhe shkatërruesit e tyre. Aleancat nuk i vlejnë më Berishës, por ai po këmbëngul dhe do të këmbëngulë deri ditën kur ajo parti të shpallet humbëse pas zgjedhjeve vendore dhe atyre të përgjithshme. Ai e di fare mirë se, pa mbështetjen perëndimore dhe krejt faktorit ndërkombëtar, asnjë parti politike nuk mund të ketë sukses elektorale dhe marrjen e pushtetit.
Por deri atëhere, mendoj se do ta shtyjë me premtime dhe mashtrime “karrocatën” e tij, derisa selia blu të mbetet e cicëruar vetëm nga zërat e vakët e ithtarëve të tij. Pas 14 Majit, dhe humbjes së sigurtë në zgjedhjet vendore, Berisha ka menduar të vërë në punë “planin B”, ku natyrisht nuk do ti njohë rezultatet, dhe do të shpallë “PD fituese në të gjitha bashkitë”, ashtu siç ka bërë për 32 vjet, duke deformuar dhe dëmtuar seriozisht atë forcë politike.